Italia për krizën dhe zgjedhjte - Pjesa e dytë

14 Prill 2019, 08:59

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, në studion e Repolitix me gazetarin Carlo Bollino ka folur për vendosjen e ushtrisë për ruajtjen e aeroportit. Ai tha se edhe në Itali është përdorur shpesh kjo praktikë.

"Parashikohet përdorimi i ushtrisë edhe për qëllime civile, por në këtë rast i qëndroj ndjeshmërisë kombëtare. Sinqerisht nuk jam në gjendje të vlerësoj saktësisht se çfarë ndikimi mund të ketë mbi qytetarët shqiptarë, por besoj se është e rëndësishme të rritet niveli i sigurisë", tha Cutillo. 

Flasim edhe për ekonominë dhe për marrëdhëniet me Italinë, në vendin e parë apo të dytë si partner tregtar, në shkëmbime? Por sipas Bankës së Shqipërisë në vendin e pestë apo të gjashtë përsa i përket investimeve direkte. Si shpjegohet ndërkohë mungesa e grupeve të mëdha italiane të cilat nuk investojnë në Shqipëri?

T’i trajtojmë me radhë. Në marrëdhëniet tregtare jemi mëse të parët. Kemi një kuotë prej 2.6 miliard euro për import-eksportet, e barazvlefshme kjo me 35% të të gjithë vëllimit të import-eksporteve shqiptare. Besoj se vendi i dytë nuk e kap nivelin e 7%, për t’a kuptuar, pra kemi një raport nga 1 në 5 mes Italisë dhe partnerit të dytë ekonomik. E them këtë pasi nuk është e zakonshme. Nuk di që të ketë vende të tjera, ndoshta San Marino me Italinë mund të kenë një marrëdhënie më të ngushtë, përndryshe nuk di të ketë vende të tjera, jo vetëm kundrejt Italisë por kundrejt çdo lloj partneri tjetër, që të kenë një vëllim prej 35% me një partner të vetëm.

Përsa i përket investimeve, statistikat – jam i sigurt, mjaft të sakta – të Bankës Qëndrore apo të Institutit shqiptar të Statistikave, venë në zbatim praktikën tashmë mjaft të përhapur të shoqërive shumëkombshe të cilat zgjedhin si seli ligjore vendin që ofron kushte më të mira përsa i përket aspektit fiskal. Për të sjellë një shembull konkret, TAP, që përbën investimin me të madh të huaj në Shqipëri në këto vite, ka zgjedhur si seli ligjore të tij Zvicerën. Dhe ja përse në këto renditje, Zvicra mban vendin e parë. Por TAP nuk është një shoqëri zvicerane, 20% e kuotave janë italiane, në të janë të përfshira dhe vende të tjera, e, megjithatë rezulton si një investim zvicerian. Besoj se duke kryer një analizë më të plotë, sipërmarrjet italiane janë ato që kanë kryer më shumë investime, që krijojnë më shumë vende pune dhe PBB për Shqipërinë krahasuar me çdo vend tjetër. Ne përpiqemi t’i njohim të gjitha për të pasur një panoramë të të gjithë situatës. Vlerësojmë se janë rreth 900 sipërmarrjet, pjesa më e madhe e tyre të vogla, dhe këtu po kaloj në pjesën e dytë të pyetjes suaj. Nuk vijnë sipërmarrjet e mëdha. Ndërkohë kemi ndonjë. Në sektorin bankar kemi bankën e parë italiane, një bankë e nivelit ndërkombëtar, sikurse Intesa San Paolo. Së fundmi, e për këtë ndihemi të lumtur e krenarë, në sektorin energjitik kemi SNAM, shoqëri e grupit ENI me një përvojë të gjatë e me një bilanc botëror domethënës, që ka ardhur për të realizuar një joint venture me operatorin shqiptar, me qëllim krijimin e kushteve për atë që mund të jetë tregu i gazit në Shqipëri, i cili aktualisht nuk përdoret në Shqipëri. Kemi sidomos shumë sipërmarrje të cilat kanë ardhur në Shqipëri edhe në kuadër të misionit të sistemit organizuar një vit më parë e që tashmë janë në përmbyllje të marrëveshjeve, duke u kthyer edhe në grupe. Pikërisht këtë javë realizuam një seminar mbi energjinë me shoqëri italiane shumë të rëndësishme. Diçka të ngjashme do të zhvillojme dhe për sektorin e mekanizimit bujqësor, sepse si energjia ashtu dhe bujqësia janë sektorë me shumë interes në Shqipëri. Italia nuk është vendi i sipërmarrjeve shumë të mëdha.

Ndaj besoj se prania jo shumë gjerë, sikurse do të dëshironim, e sipërmarrjeve të mëdha italiane, pasqyron kryesisht rrjetin prodhues italian që faktikisht zotërohet nga sipërmarrjet e vogla apo të mesme-të vogla. Kjo lidhet edhe me faktin se disa prej shoqërive të mëdha të cilat në fillim të viteve ’90 u përpoqën të hynin në treg, patën përvoja negative ndaj tani nuk kanë më interes. Pastaj, tregu shqiptar ka përmasa të kufizuara ndaj nuk më duket se ka shoqëri të mëdha shumëkombëshe dhe nga vendet e tjera që të ushtrojnë aktivitet këtu. Ndaj, përgjithësisht, mendoj se kemi të bëjmë me një marrëdhënie që pasqyron strukturat prodhuese të të dy vendeve e që dëshmon vitalitetin e saj. Nëse duam të jemi më analitikë, është po ashtu e vërtetë se ka disa probleme, që sipërmarrjet – si ato që janë të pranishme ashtu dhe ato që përpiqen të hyjnë – parashtrojnë. Ndaj besoj se është në dobi të administratës shqiptare të përpiqet t’i zgjidhë ato.

Mund të sillni ndonjë shembull? Ju keni kontakte me sipërmarrjet.

Unë mund t’ju përcjell ato që parashtrojnë sipërmarrjet, më pas sigurisht që duhet të barazpeshohen përgjegjësitë, por gjithësesi i kemi dëgjuar shpesh këto lloj problematikash. Si për shembull, një dialog i vështirë me administratat apo me agjencitë e ngarkuara për kontrollin dhe zbatimin e ligji të cilat, nga këndvështrimi i sipërmarrësit, duket se ligjin e zbatojnë në mënyrë jo të qëndrueshme e të përcaktuar, ka një prirje të munguar drejt dialogut të sektorit publik me atë privat, faktikisht për të kuptuar më mirë, përpara miratimit të një ligji të ri, të një normative të re, se cilat mund të jenë pasojat negative, lehtësisht të kapërcyeshme në rast se arsyetohet paraprakisht. Sipërmarrjet hasin, e këtë duhet ta themi, përpjekje për korrupsion, për të përftuar leje kundrejt rryshfeteve, pra një situatë jo shumë e lehtë për t’i bërë ballë. Ndonjëherë hasin edhe një dobësi institucionale në administratën e sektorit të ekonomisë, një ndryshim të shpeshtë të saj, për rrjedhojë, më duhet ta theksoj këtë pasi e kemi hasur edhe si Ambasadë, shpesh herë

teksa kemi organizuar tryeza për të diskutuar rreth një çeshtjeje të caktuar, kemi vënë re ndryshimin e vazhdueshëm të bashkëbiseduesve. Sipërmarrjet e një niveli të caktuar, ato që dëshirojnë të vijnë këtu duke marrë pjesë, për shembull, në tendera, nga njëra anë vënë në dukje dukurinë për të cilën është folur mjaft, mbi propozimet e pa kërkuara, pra këtë pabarazi të pjeshme në trajtim mes atyre që marrin pjesë në tender normalisht dhe atyre që gëzojnë një akses të privilegjuar, pikërisht vënia në zbatim, në masë, e të ashtuquajturave PPP, nuk po shpik asgjë të re teksa shpreh se të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare e kanë kritikuar, por jo në vetvete pasi PPP është një formulë që përdoret në shumë vende dhe nuk është as pozitive as negative, dhe, sipas rasteve, mund të jetë ajo e duhura, por sepse, per t’u realizuar me sukses kerkon pikërisht një kapacitet institucional që këtu nuk e kemi, një analizë të kostove dhe të përfitimeve, një vlerësim të ofertave me qëllim që të shmanget fakti, ndoshta pas dhjetë vitesh, se janë paguar më shumë para se sa duhej për një shërbim të caktuar, pra kalimin, tek brezat e ardhshëm, të barrave të cilat tani për tani duket se mund të reduktohen ndjeshëm. E, më tej, ato që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, kemi disa syresh në kuadër të tenderave ndërkombëtarë. Po sjell një shembull për të gjitha, një ndër financimet me të rëndësishme ndërkombëtare që ka përftuar Shqipëria së fundmi kanë të bëjnë me modernizimin e rrjetit hekurudhor nga nga Tirana në Durrës dhe për në aeroport, nuk di të them me saktësi, besoj prej dy vitesh ky financim është vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare dhe ende jemi në pritje të vlerësimit paraprak. Qartazi ka një mungesë kapacitetesh pasi bëhet fjalë për një tender kompleks e rregullat që duhen respektuar janë po ashtu komplekse, ndaj dhe koha që po merr është më e gjatë se ajo që një investitor do të ishte i gatshëm të shpenzonte përpara kryerjes së një investimi. Ndaj, besoj se të gjitha këto probleme dihen, janë të njohura për administratën e cila po merr masat e nevojshme, përmend këtu njërën prej tyre pasi e konsideroj tejet të rëndësishme. Në 2017 qeveria krijoi figurën e ministrit për mbrojtjen e sipërmarrjes, pra nga njëra anë kemi të bëjmë me njohjen e nevojës për mbrojtjen e sipërmarrjes, domethënë një vetëdije për problemin, nga ana tjetër është një përgjigje të cilën e konsideroj shumë origjinale pasi sikurse shprehet dhe vetë ministri “unë mbroj sipërmarrjet nga kolegët e mi të qeverisë”. Në të vërtetë është një hap me një potencial të madh pasi të kesh një lloj ombudsman-i të sipërmarrjeve që në të njëjtën kohë është edhe anëtar i Këshillit të Ministrave, nëse vlerësohet si duhet, mund të shërbejë si përgjigje e duhur dhe efikase. Unë besoj se është një shprehje besimi që jemi të gatshëm të tregojmë e që me kalimin e kohës mund të përbëjë urën për të lehtësuar atë komunikim për të cilën në fillim u shpreha se mungon apo nuk është i kënaqshëm.

Ka ndonjë sektor ku sipërmarrjet italiane mund të japin më shumë, nuk di, mendoj për sektorin e turizmit që është një sektor me rritje të madhe e në të cilin sipërmarrjet italiane janë më tepër konsumatore, pasi janë të shumtë italianët që kalojnë pushimet këtu, se sa si investitore.

Po, si konsumator, patjetër, çdo vit numri është në rritje dhe dëshmon interesin që ky vend ngjall në Itali. Unë besoj se sektori i turizmit, edhe përtej sipërmarrjeve italiane, mbart sigurisht një potencial të madh, por nëse i referohemi turizmit bregdetar që sigurishtpërbën një burim, në një situatë pasigurie mbi pronësinë e tokës, cila sipërmarrje do të guxonte të ndërmerrte një investim, qoftë dhe të rëndësishëm, duke ditur rreziqet dhe kuadrin ligjor? Ndaj nevojitet që qeveria të zgjidhë me vendosmëri këtë problem në mënyrë që të mendohet për investime të rëndësishme në këtë sektor. Në përgjithësi besoj, nuk e di, se për vite me rradhë Italia e kishte ndaluar zhvillimin e një flote turistike për arsyet e ditura tashmë gjatë periudhës së rrezikut të emigracionit klandestin. Që në momentin që kjo pengesë ra, Italia po nxit krijimin e industrisë së mjeteve lundruese turistike, por kjo kërkon dhe legjislacionin e duhur. Prej vitesh i kemi propozuar qeverisë shqiptare drafte ligjore apo i kemi shprehur gatishmërinë tonë në këtë drejtim pasi negojitet që të rregullohet me ligj. Sot nuk ka një dispozitë ligjorë që të rregullojë lundrimin turistik, por gjen zbatim dispozita për anijet tregtare, pra sigurisht aspak e përshtatshme, kjo është arsyeja përse shumë turistë me barka në vend që të ndalen në portet shqiptare, ose nga Greqia kalojnë direkt në Mal të Zi. Pra, mundësitë janë të pafundme e nevojitet që të punojmë së bashku, pasi përndryshe, nëse kryesisht nuk kapërcehen normative, është e vështirë që të vijnë investitorët.

Në lidhje me transportin, doli lajmi se pas grabitjes së bujshme brenda aeroportit të Tiranës, për herë të parë, së bashku me policinë, aeroportin ndërkombëtar të Rinasit do ta ruajë edhe ushtria. Ju bën përshtypje të kaloni në një aeroport të militarizuar?

Kam parë edhe të tjerët kështu që nuk ...

Në Itali zbatohet shpesh.

Në Itali zbatohet. Parashikohet përdorimi i ushtrisë edhe për qëllime civile, por në këtë rast i qëndroj ndjeshmërisë kombëtare. Sinqerisht nuk jam në gjendje të vlerësoj saktësisht se çfarë ndikimi mund të ketë mbi qytetarët shqiptarë, por besoj se është e rëndësishme të rritet niveli i sigurisë.

A ka ndonjë formulë, sipas jush, për të dalë nga kjo situatë, mbi të gjitha nga ngërçi politik në të cilat gjendet Shqipëria?

E kuptoj që po e përsërit veten dhe po bëhem i rëndomtë, por është dialogu. E theksoj, nga pikëpamja teknike, është e mundur që forcat politike të mos dialogojnë dhe të ndjekë secila rrugën e saj. Por kjo nuk është e shëndetshme dhe mbi të gjitha, në një vend në tranzicion si Shqipëria, nuk është e mundur. Sepse tranzicioni nënkupton reforma, nënkupton një vullnet për të pasur një model të përbashkët të cilit vendi duhet t’i drejtohet. Kjo nuk mund të bëhet nesë një pjesë e mirë vendit shkon në drejtim të kundërt, nëse ndihet e përjashtuar nga ky proces. Kështu, mund të ketë momente ngërçi, ndërprerjeje të dialogut, por dialogu duhet të jetë norma. E për këtë arsye unë ftoj dhe nuk kam si të mos ua përsëris të gjitha palëve politike që të bëjnë një përpjekje të sinqertë në këtë drejtim.

Nga 97 deri më sot kemi parë shumë kriza politike në Shqipëri. Çdo herë zgjidhja ka erdhur nga një arbitër ndërkombëtar. Dialogu është vendosur përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar. Si ka mundësi që asnjë vend nuk ka marrë përsipër të jetë ndërmjetës?

Mendoj se ne të gjithë shpresojmë të mos jetë kjo e ardhmja e Shqipërisë. Që vendi të jetë në gjendje t’i zgjidhë krizat nga brenda. Për mendimin tim, ka dy arsye, mbi të gjitha duke bërë një krahasim me krizën e fundit, të vitit 2017, që duke jetuar këtu e njoh më mirë.

E para është rrethanore: kemi një periudhë të vështirë në shumë vende nga pikëpamja politike dhe mbi të gjitha, me zgjedhjet e Parlamentit Evropian përpara, kapitali politik në të gjithë Evropën është i përqendruar tek çështjet e brendshme. Nuk ka pra një gatishmëri të tillë për të shkuar dhe për t'u marrë me vende të tjera. Shtoj një detaj tjetër: Parlamenti Europian është drejt fundit të mandatit, po ashtu edhe Komisioni Evropian, kështu që edhe ata që në të kaluarën kanë bërë punë shumë aktive, janë të pafuqishëm në përgjithësi, por dhe në veçanti në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë.

E dyta është se për momentin nuk ka çfarë ndërmjetësimi të bëhet. Dalja nga parlamenti tashmë i përket së shkuarës. Mund të stigmatizohej, por në çdo rast është një fakt dhe s’ka mbetur gjë tjetër për të bërë. Nuk e kemi panoramën e zgjedhjeve të ardhshme dhe për këtë arsye është e vështirë të ndërmjetësojmë. Kushdo që dëshiron të ndërmjetësojë nuk mund ta dijë se cilat janë objektivat e një ndërmjetësimi sot. Ndoshta brenda pak javësh do ta kemi pamjen më të qartë. Unë shpresoj se do të gjendet një zgjidhje e brendshme edhe pa qenë nevoja që të ndërhyjë Regjimenti i Shtatë i Kavalerisë, apo në përgjithësi një forcë ndërkombëtare, sepse besoj se Shqipëria i ka mundësitë për ta zgjidhur brenda vendit situatën dhe qytetarët po tregojnë pjekuri, duke qenë se presin një tjetër qëndrim nga ana e forcave politike, një qëndrim jo-antagonist, por që ka synim vetëm interesin e vendit. Unë besoj se ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.