Iu hoqi pasaportat diplomatike, Gjyqtarët padisin qeverinë (DOKUMENTI)

11 Korrik 2019, 15:41

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka paditur ditën e sotme qeverinë, pasi kjo e fundit një muaj më parë më 12 qershor iu hoqi të drejtën për t'u pajisur me pasaporta shërbimi dhe diplomatike.

ReportTv ka siguruar padinë e shoqatës kombëtare të gjyqtarëve ku në 10 faqe, ata rendisin argumentet se përse vendimi i qeverisë është i padrejtës. Këtë të drejtë gjyqtarët e gëzojnë prej 2 shtator 1997, ndërsa tashmë ajo është hequr po me vendim qeverie dhe ka vënë gjyqtarët përballë qeverisë në një proces gjyqësor.

Padia është depozituar në Gjykatën e Apelit Administrativ ndërsa pritet që me short të përzgjidhet trupa gjykuese dhe të publikohet data e seancës. Sipas gjyqtarëve, kjo e drejtë atyre u lind nga Kushtetuta ku sipas tyre paga dhe përfitimet e tjera të magjistratëve atyre nuk mund t'i ulen. Gjyqtarët argumentojnë se heqja e kësaj të drejte atyre do t'i rriste kostot e marrjes së vizave tek vendet të cilat kërkojnë vizë dhe deri më tani ata kanë udhëtuar me pasaporta shërbimi.

Një tjetër argument i gjyqtarëve në këtë padi është edhe neni "138" i Kushtetutës ku sipas tyre flet për ta dhe statusin e tyre duke garantuar përfitimet dhe të drejtat që ju rrjedhin nga ky status. Ky vendim i qeverisë preku një sërë kategorish që kishin këto privilegje ndërsa reforma u ndërmor nga Ministria e Jashtme e cila së pari preku targat diplomatike, konsujt e nderit e më pas pasaportat e shërbimit dhe ato diplomatike.

Heqja e pasaportave diplomatike për 350 persona, mes tyre ish-deputetë që u ka mbaruar mandati ose gjyqtarë që nuk kanë kaluar procesin e vettingut, shoqëruesve të zyrtarëve ka qenë një ndër punët e para të bëra të ministrit Cakajt sapo u emërua në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.