'Jemi në COVID, nuk është emergjente'! Shtyhet sërish gjyqi për Tahirin në Apel

28 Prill 2020, 13:23 | Përditesimi i fundit: 2020-04-28 13:25:03

TIRANE-Shtyhet për herë të dytë seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Krimit të Organizuar për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelën. Trupi gjykues vendosi shtyrjen për në datë 13 maj me argumentin se seanca nuk futet te kategoria e emergjenteve sipas parashikimeve referuar situatës së COVID-it dhe se nuk ishin lajmëruar të gjitha palët.

Në seancë janë paraqitur vetëm avokatët mbrojtës, pra ish-ministri nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë. Ish ministri apeloi vendimin e Krimeve të Rënda që e dënoi me 3 vite e 4 muaj shërbim prove.

Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe e dënoi me 3 vite shërbim prove, por avokatët e tij e apeluan dhe tashmë çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme të Apelit.

Në apel ushtruan ankimim si ish-ministri i Brendshëm që kërkon pafajësi ashtu edhe prokuroria e cila kërkon dënimin e tij me burg. Ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi 8 vite burg për Tahirin, ndërsa gjykata e dënoi atë me 3 vite burg me shërbim prove.

Ndërkohë për Jaeld Çelën pala mbrojtëse e ish-oficerit ka kërkuar që të përjashtohen nga gjykimi treshja gjykuese, pasi kanë gjykuar çështje të bashkëlidhura. Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Drini janë gjyqtarët që gjykojnë çështjen e Çelës dhe Tahirit. Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 13 maj.