Kadilli dhe Harxhi zyrtarizojnë kandidaturat: Gara është asimetrike dhe jo e mbështetur në rregulla!

21 Maj 2021, 18:16 | Përditesimi: 21 Maj 2021, 18:16

Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Ibsen Elezi duket se do të jenë treshja e kandidatëve që do të sfidojnë Lulzim Bashën në garën për kreun e kësaj force politike.  Kadilli dhe Harxhi kanë dorëzuar sot kërkesat zyrtare, ndërkohë që Elezi do të shfrytëzojë ditën e fundit të afatit për të zyrtarizuar kandidaturën.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, e ka cilësuar garën si asimetrike por ka garantuar se do të sfidojë kryetarin Basha me vlerat.

Në të njëjtën linjë ishte edhe prononcimi i ish-ministres së Jashtme Edith Harxhi. Ajo tha se gara nuk është e mbështetur në rregulla, teksa premtoi reformimin e Partisë Demokratike mbi vlerat e vitit 1990.

"Dorëzova edhe formalisht kërkesën për kandidimin për kreun e PD-së. Është një moment shumë i rëndësishmë në PD, është një moment kthese. Ndonëse është një garë asimetrike sa i përket mjeteve në dispozicion të kandidatëve. Ne kemi kryetarin që nuk del nga zyra. Por ka dhe një asimetri tjetër, është asimetria morale në të cilën ndjehem shumë herë më superior. Vij në këtë garë dhe ballafaqohem me vlerat, zotësia për të mbajtur fjalën e dhënë, aftësia e demonstruar në 30 vite për të qenë besnikë me institicionin e PD-së, jam njeriu që kam kontribuar me pastërti, nuk do të tradhëtoj asnjë nga demokratët edhe në këtë proces", tha Kadilli.

'Uroj shumë që gjithçka të shkojë siç duhet, pavarësisht se jo gjithçka është bërë sipas rregullave të lojës. Së shpejti do të dalim me një deklaratë tjetër ku të themi rregullat që duhet të zbatohen në garë. Ajo që ofroj unë është një reformim i thellë i PD-së mbi idealet e vitit 1990", tha Harxhi.

r.k./Shqiptarja.com