Prej rreth një jave, Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për pasurisë e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut, për veprën penale të pastrimit të parave. Burime zyrtare pranë uniformave blu bënë me dije se prej disa ditësh, Policia e Shtetit me anë të një kërkesë zyrtare i është drejtuar bankave të nivelit të dytë për llogaritë bankare të Kajmakut, si dhe Hipotekës për të verifikuar ço pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të tij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Po ashtu, në sitën e policisë për mënyrën se si është krijuar pasuria e tij po kalon edhe biznesi i familjes Kajmaku, një kompani që merret me prodhimin, shitjen dhe tregtimin e luleve, pemëve frutore e dekorative.
Fillimisht, këtë biznes Kajmaku e ka regjistruar si “person fizik” për shitje lulesh në vitin 2004 e i mbajtur funksional deri në vitin 2007, kur edhe ka vendosur ta ç’regjistrojë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Më pas, aktiviteti i luleve për familjen Kajmaku rikthehet në vitin 2008.
Që prej datës 9 Nëntor Agim Kajmaku është shpallur në kërkim policor, me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar masën e arrestit me burg në mungesë.
Kontrollet për kapjen e tij janë kryer edhe në banesat e familjes Kajmaku, një të Fushë-Prezë e tjetra e ndodhur në zonën e “tregut elektrik”, në Tiranë, e cila rezulton të jetë në emër të bashkëshortes së Agim Kajmakut, Meritës. Por, duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS, Kajmaku nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar. Agim Kajmaku akuzohet nga prokuroria për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. Dyshimet e prokurorisë janë se Kajmaku ka firmosur shkarkimin nga detyra të dy n/ kryetarëve, pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 Nëntor. Ndërsa avokati i Kajmakut pretendon se këto dy lëvizje janë bërë më 31 Tetor.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës me anë të një shkrese drejtuar Dhomës Kombëtare të Noterisë, u kërkon noterëve të njoftojnë menjëherë nëse Kajmaku paraqitet pranë tyre. Shkresa mban datën 14 nëntor ku ndër të tjera thuhet se në rast se noterët konstatojnë se Agim Kajmaku është paraqitur pranë zyrave të tyre paraprakisht duhet të njoftojnë policinë e shtetit në numrin 129, pa kryer asnjë veprim tjetër noterial pasi në rast të kundërt do të ngarkohen me përgjegjësi penale.