Kalon për gjykim dosja e Belerit, flet avokati: Po mbahet në burg politikisht! Gjyqi do të zgjasë

14 Shtator 2023, 17:00

Teksa citoi fjalët e Fredi Belerit, avokati i tij tha pas përfundimit të seancës së ditës së sotme në Gjykatën e Posacme se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës po mbahet në burg politikisht dhe pa asnjë provë që vërteton fajësinë e tij.

“Fredi Beleri tha se po qëndron në burg politikisht dhe pa asnjë provë, pasi nuk ka pasur asnjë kontakt që nga data 6 edhe deri në ditën që është arrestuar me të infiltruarin. SPAK vazhdon të shprehet se akuzat e ngritura ndaj Belerit janë të vërtetuara. Ne do i kontestojmë këtë punë kemi, seanca tjetër është ditën e hënë. Argumenti ishte se kanë përfunduar hetimet dhe s’ka rrezik më për marrjen e provave dhe s’ka pse të ndiqet më në gjendje arresti në burg, kur gjyqi do vazhdojë gjatë. Ne i jemi drejtuar edhe GJykatës së Lartë pastaj sa të marrim përgjigje do shkojmë dhe në Gjykatën Kushtetuese", tha avokati i Belerit në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës.

Më tej ai shtoi se nuk kishte asnjë pritshmëri që ditën e sotme në këtë seancë të kishte të tjera rezultate, ndërsa tha gjithashtu se zëvendës ambasadori grek donte të ishte në sallë por nuk u lejua sepse ishte seancë me dyer të mbylluara dhe të hënën do lejohet të takohet me Belerin.