Kandidati i LVV për deputet në Shqipëri, Merxhani: Nuk mjaftohemi me kandidimin në 3 qarqe!

1 Shkurt 2021, 23:01 | Përditesimi i fundit: 2021-02-01 23:09:22

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri në qarkun e Gjirokastrës, Kreshnik Merxhani thotë se kjo forcë politike ka potenciale për t'u rritur njësoj siç ka bërë në Kosovë. Gjatë një interviste në emisionin '5 pyetjet' nga gazetari Ilir Babaramo, ai tha se po punohet ende për mbylljen e listave dhe se kjo forcë politike nuk do të mjaftohet me kandidatë vetëm në 3 qarqe.

Ai thotë se LVV i ka bërë thirrje personave të tjerë që të bëhen pjesë e Vetëvendosjes teksa shpreh besim për mbledhjen e firmave për të çuar më tej kandidaturën.

"Ne mendojmë se do të ndryshojë kjo pas pjesëmarrjes në zgjedhje pavarësisht kësaj formule për të programuar ndryshime. Ne e shikojmë lëvizjen në Kosovë të lindur natyralisht, ndryshe nga Shqipëria apo dhe atje. Është e natyrshme që këtu të fillojë në mënyrë embrionale dhe më pas të rritet ashtu siç ndodhi në Kosovë. Është e vetmja forcë në rajon që e rrit veten e vetë. Edhe këtu është e njëjta gjë. Nuk është mbyllur ende lista e kandidatëve për deputetë. Ne e kishim të rëndësishme që të ishim në çdo qark të Shqipërisë. Ne i kemi bërë thirrje personave të tjerë. Në Gjirokastër na duhen 1300 firma për kandidatë. Në Lezhë duhen mbledhur 1900 firma për të çuar përpara kandidimin. Ka vështirësi por çuditërisht pjesëmarrja e shton entuziasmin dhe i shtyn parashikimet tona. Edhe një lloj skepticizmi na ka ikur. Ne nuk e ndërpresim thirrjen tonë" - tha Merxhani.

Merxhani thotë se PS është larguar shumë nga koncepti politik i së majtës dhe se ka përfunduar nga një qeveri socialiste në PPP apo skema të tjera.

"Qeveria e PS-së nuk është më e majtë. Nga një qeveri socialiste të përfundojë në PPP apo skema të ndryshme shumë larg të së majtës. Po shohim monopole të thyera, vepra publike të paguara nga taksa të qytetarëve shqiptarë të përfundojnë në duar oligarkësh apo PPP. Një nga angazhimet e mia në Gjirokastër është pikërisht këtu. Aty nuk shkon në rradhë të parë mënyra se si ne e trajtojmë trashëgiminë kulturore. Bypassi i Gjirokastrës kushtonte gati 456 metra linear, kushtonte gati 4.3 mln euro ndërkohë që profesionistët kanë kryer vlerësim për qytetin e Gjirokastrës dhe parashikonin që me gati 9 mln euro mund të ndalonim rrënimin" - tha Merxhani.