Kapën për fyti policin pas protestës së dhunshme, në hetim Flamur Noka dhe 5 ish-deputetë të PD-së

28 Maj 2019, 13:33

Ish-deputetët e Partisë Demokratike. Flamur Noka, Enekelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi, Artan Frrokaj, janë vënë në hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Bëhet fjalë për mbrëmjen e 15 shkurtit 2019, kur pas protestës së dhunshme që opozita jo parlamentare mbajti tek Kryeministria, ish-deputetët mësynë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të kërkuar sërish me dhunë, lirimin e militantëve që u shoqëruan nga uniformat blu pas akteve të dhunshme gjatë tubimit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, ka kryer hetime duke ngritur akuzë për veprën penale të "kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim, sipas nenit 236/2 te Kodit Penal.

Ish-deputetët e Partisë Demokratike, u futën me forcë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbaheshin të shoqëruar disa protestues, dhe nisin të përplasen fizikisht me efektivët e policisë. Në një veprim të paprecedentë, ish-deputeti Flamur Noka, i cili gjatë qeverisjes së PD-së ka qenë edhe ministër i Brendshëm, tërheq me forcë nga koka një nga efektivët që po mundoheshin të mos lejonin ish-deputetët të hynin forcërisht në zyrën e drejtorit. Asnjë nga ish-deputetët nuk reagojnë.

Noka është përleshur fizikisht me efektivin, duke i vënë atij duart në fyt. Në video dëgjohen thirrjet “Hiqi duart", "Mos e prek deputetin" "Do t’ju zhduk”. E gjithë skena ka ndodhur përpara kamerave të televizioneve, por nga një video e re nga kamerat e sigurisë së Policisë, duket ekzaktësisht kur Noka tërheq me forcë nga fyti efektivin brenda ambjenteve të policisë.

Procedimi penal nga prokuroria nisi pas publikimit në media të këtyre pamjeve, më 24 maj.

Pas protestës së dhunshme para kryeministrisë policia shoqëroi 20 militantë të opozitës. Mes të shoqëruarve ishte edhe ish-drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha