Deputetë të PD kanë hyrë me forcë brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar shpjegime lidhur me shoqërimin e 20 militantëve të opozitës, pas protestës së dhunshme para Kryeministrisë (Lexo këtu). Mes të shoqëruarve është edhe ish-drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ndërkohë që shtatë prej të ndaluarve u është komunikuar urdhër arresti dhe tashmë do përballen me disa akuza për protestën e dhunshme sot përpara Kryeministrisë (Lexo këtu).

Hyrja e deputetëve të PD brenda Drejtorisë së Policisë është shoqëruar edhe me tensione. Deputeti demokrat, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka debatuar ashpër me një drejtues policie. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Noka është përleshur fizikisht me drejtuesin e policisë, duke i vënë atij duart në fyt. Në video dëgjohen thirrjet “Hiqi duart", "Mos e prek deputetin" "Do t’ju zhduk”. E gjithë skena ka ndodhur përpara kamerave të televizioneve. 

Brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës ndodheshin deputetët e PD si Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Klevis Balliu, Gent Strazimiri të cilët gjithashtu janë përfshirë në përplasje. Në një prononcim për mediat pas daljes nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, Flamur Noka e justifikoi veprimin e tij me arrogancën e drejtuesve të policisë, të cilët nuk i kishin pritur deputetët e opozitës, por sipas tij rrinin në zyrë dhe pinin vodka dhe whisky.

"Jeni dëshmitarë sesi u sollën e gjithë kupola e policisë duke lënë për rreth një orë deputetët e opozitës jashtë. Menduam se kishin punë, por kur u ngjitëm sipër pamë kupolën e Drejtorisë si një tufë derrash të zhgërryer, me ëhisky, vodka e Red Bull, e ne na lanë duke prituar pa dhënë asnjë sqarim. Ata po festonin. Policia që duhet të ishte në shërbim të qytetarëve ishte duke u zhgërryer në Ëhisky. Kemi pamjet filmike. Deri tani janë arrestuar 7 qytetarë. Nuk ka pasur dhunë, thjesht kjo ka qenë protesta më e madhe e viteve të fundit. Për atë shfryrje ndaj një kërpudhe banale aty, protestuesit duhet të qëndrojnë këtu tani. Deputetët kishin një orë që prisnin këtu, ata pinin ëhisky, kjo është policia", tha Noka. 

Ndërkohë një prej qytetarëve pretendoi se i kanë arrestuar padrejtësisht djalin si pjesëmarrës në protestë në një kohë kur sipas tij ai është invalid.