Pas Gjirokastrës dhe Vlorës në KAS është vulosur përfundimisht rezultati edhe në Qarkun e Beratit. Asgjë nuk ndryshon përveçse pak votave që shtohen apo hiqen nga disa prej partive. Vetëm para pak minutash KAS bëri me dije se ka miratuar ndryshimin e vendimit të Komisionet Shtetëror të Zgjedhjeve dhe miratimin e tabelës përmbledhëse sipas rezultateve të dala nga rinumërimi. KAS gjithashtu rrëzoi kërkesën për shpalljen e pavlefshme të 3 qendrave të votimit të kërkuara nga LSI, për shkak se konsiderohet si e gjykuar më parë në kërkesën e LSI për shpalljen pavlefshme të zgjedhjeve në Qarkun Berat.
KAS përfundoi në orët e para të pasdites rinumërimin e 114 kutive të votimit të qarkut të Beratit, me rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë në një qark ku kanë votuar gjithsej 80.929 qytetarë. LSI ka rikuperuar gjithsej me 15 vota, shumë larg votave të duhura për të marrë mandatin e pretenduar. Rikuperimi prej 15 votash nga dhjetëra mijëra vota të numëruara tregon se proporcioni është totalisht i papërfillshëm.
Nga 114 kutitë e numëruara LSI ka marrë vetëm 15 vota plus, nga 77 që i duheshin për t'i marrë mandatin Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për rinumërim të votave për partitë politike dhe vetëm 2 kuti për kandidatët. Megjithatë përfaqësuesi i LSI në KAS kërkoi që të mos përfshihen në tabelën përfundimtare të rezultartit 3 qendra votimi: 3431, 3445, 3318. Për këtë kërkesë KAS është tërhequr për vendim.
KAS bëri me dije se nga rinumërimi rezulton se disa nga ndryshimet janë: LSI ka shtuar rezultatin me 15 vota, Aleanca Demokracia e Re është shtuar me 11 vota, PS ka zvogëluar rezultatin me 20 vota, PD-AN e ka zvogëluar me 9 vota.
Teksa përfaqësuesi i LSI, Altin Kaziaj kërkoi hetim pasi sipas tij edhe ndryshimi i këtij rezultati nuk është pak. Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, tha se rinumërimi tregoi edhe një herë që procesi ka qenë i rregullt dhe ligjor.
Duhet thënë se thuajse të gjitha votat e rikuperuara nga LSI kanë të bëjnë me çështje interpretimi të votave të pavlefshme. Ndërsa votat e hequra për PS dhe PD tregon në fakt se manipulimi nuk ka pasur për arsye se raporti i votave të zbritura është i njëjti me raportin e votave të përgjithshme të këtyre dy forcave politike në këtë qark.