Kavajë, çifti i të moshuarve jeton në qiell të hapur, prej 5 ditësh kalojnë natën te lulishtja në qendër të qytetit

22 Nëntor 2018, 21:23

KAVAJE - Një çift të moshuarish prej 5 ditësh qëndrojnë në qiell të hapur në mes të qytetit të Kavajës. Janë qytetarët e Kavajës të cilët kanë njoftuar Report Tv për çiftin e moshuar të cilët kanë vendosur një plastmas dhe qëndrojnë në shi dhe pa asnjë ndihmë nga ana e shtetit.

Sipas qytetarëve që jetojnë në këtë zonë, është pyetur çifti se nga kanë ardhur, por deklaratat e tyre janë kontradiktore. Ata njëherë thonë se kanë ardhur nga shtëpia e të moshuarve në Berat, dhe më pas thonë që janë nxjerrë jashtë nga fëmijët dhe janë lënë në rrugë të hapur.

Gazetari i Report Tv, Artur Korriku ka tentuar të marrë një prononcim prej dy të moshuarve, por pavarësisht kushteve në të cilat jetonin ata nuk pranuan të flasin para kamerave.

Qytetarët e Kavajës apelojnë për ndihmë që çifti i moshuar të sistemohet në një nga shtëpitë e të moshuarve, pasi ata jetojnë mes shiu dhe rrufeve, poshtë një peme në afërsi të Agjencisë së automjeteve, siç njihet nga banorët e zonës.

Report Tv ka kontaktuar me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës Isa Sakja, sipas tij çifti i të moshuarve ka një dhomë në shtëpinë e të moshuarve në Berat nga ku kanë ikur. Punonjës të bashkisë i kanë kërkuar që ti shoqërojë për në azil, por të moshuarit nuk kanë pranuar.

l.q.