Këngëtarja Fjolla Morina dënohet me 6 vite burg në mungesë! Avokatja: Do e apelojmë

25 Mars 2021, 15:55 | Përditesimi i fundit: 2021-03-25 16:05:20

KUKËS- Gjykata e Kukësit ka dënuar në mungesë me 6 vite burg këngëtaren Fjolla Morina, e cila akuzohet për armë mbajtje pa leje. Prej muajsh, këngëtarja është në kërkim, pasi u arratis nga shtëpia në Kukës ku po jetonte, sepse fillimisht u la në arrest shtëpie. Këngëtarja zgjodhi që të arratisej së bashku me partnerin e saj, Fisnik Syla, vendim që i ka kushtuar shtrenjtë Fjolla Morinës. Report Tv mëson se gjatë seancës, prokurori Edmond Karriqi kërkoi 7 vite burg për armë mbajtje pa leje, teksa mbrojtja kërkoi ndëshkim me gjobë. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Alma Ahmetaj dhe anëtar Sami Ujkashi dhe Enkeleda Dalipi vendosi 9 vite burg, që me 1/3 e gjykimit të shkurtuar, do të bëjë 6 vite.

Avokatja e saj Aurora Guska e ka cilësuar si të padrejtë vendimin, duke njoftuar se do e apelojnë.

"Do ta ankimojnë. Fjolla Morina ka pasur vetëm një armë, ka qenë aksidentalisht në çantën e saj dhe do ta ankimojmë në Apel", tha avokatja.

Ndonëse ishte në kërkim, ajo ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale ku ka publikuar foto nga udhëtimi i saj në Dubai apo dasma në Maldive. Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa na bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.

Bashkë me këngëtaren u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj Fitim Muji. Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësitë, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik i dashur që nuk jeton më.