Keqtrajtimi i kafshëve/ Banorët: Ndihemi të rrezikuar! Veterineri: Mos i vrisni, fermerët të përdorin gardhet elektrikë

18 Nëntor 2019, 21:49

Rastet e keqtrajtimit të kafshëve të egra, duket se po shtohen në Shqipëri, ku vetëm një javë më parë u publikuan pamjet e torturimit të një ujku në Mat dhe një ariu në Kukës, nga banorët.

Ndërkohë që banorët shprehen të shqetësuar sepse po rrezikohet jeta e tyre, pasi kohët e fundit numri i ujqërve është shtuar shumë, nuk ka munguar as reagimi i shoqatave të mbrotjes së kafshëve lidhur me këtë çështje.

Ariel Vasili, veteriner i Albanian Wildlife Rescue Team shprehet për Report Tv se qytetarët duhet të dinë se në rastet që ndihen të rrezikuar nga kafshët e egra, mund ti largojnë, duke njoftuar instanca shtetërore apo private, pa pasur nevojë për ti vrarë.

“Ka instanca shtetërore dhe private që mund të bëjnë në raste që njerëzit rrezikohen  nga një kafshë e egër e cila i është afruar ambienteve të tyre private, mund të bëhet largimi i kafshës pa pasur nevojë për ta dëmtuar ose për ta vrare sic rëndom ndodhë në Shqipëri. Fermerët mund të rrethojnë ambientet e tyre me gardhe elektrikë dhe nëse janë fermerë të ligjshëm dhe të regjistruar mund të përdorin fondet e Bashkimit Europian për të mbuluar shpenzimet e këtij rrethimi. Kjo bën të mundur që të ketë sa më pak konflikt në ambientet e tyre private me kafshët e egra, kështu që ruajmë kafshët e egra që janë pasuri në Shqipëri”-u shpreh Ariel Vasili  

Në Shqipëri janë të pakta studimet për kafshët e egra, duke mos pasur kështu një numër të saktë të tyre. Veterineri i AWRT,  Blandi Mustafai thotë se kafshët e egra duhet të shihen si aset kombëtar dhe ekonomik.

“Në cdo vend të botës këto kafshë të egra shihen si aset kombëtar, si aset ekonomik. Ka njerëz nga e gjithë bota që udhëtojnë vetëm për të vizituar vende të tilla sic janë parqet tona kombëtare që kanë akoma jetë endemike si ujqër, arinjë, shqiponja, lloj lloj kafshësh, rrëqebull dhe lloje kafshësh të tjera që janë dhe në rrezik zhdukje. Është me të vërtet aset ekonomik”-tha Blandi Mustafai

Kafshët e egra janë një pasuri kombëtare për Shqipërinë, si një ndër të pakta vende ballkanike që ende ka gjallesa të tilla.