Një nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, 'Albanian Wildlife Rescue Team' ka reaguar pasi Report Tv publikoi pamjet e keqtrajtimit dhe vrasjes së një ujku para dy ditësh në fshatin Kariç në Mat. Shoqata i bën thirrje policisë së shtetit dhe inspektoratit që të vendosin drejtësinë në vend për rastin. Sipas tyre, banorët në rast se konstatojnë që ujqërit kanë zbritur pranë shtëpive mund të lajmërojnë punonjësit e  Administratës së Zonave të Mbrojtura në Tiranë apo Burrel të cilat mund të ndërhyjnë për largimin e kafshëve.

"Mbetemi pa fjalë nga dashakeqësia dhe injoranca e disa shtetasve të këtij vendi. U publikua kjo video nga Report TV ku shfaqen banorë të zonës së Matit, të cilën dhunojnë një kope ujqërish - në dukje juvenil- e cila ka zbritur në fshatin e tyre. Ne si organizatë në bashkëpunim me AKZM kemi ofruar disa herë ndihmën për raste ku kafshët e egra kanë hyrë në teritorin e banesave private.

Ka grupe të gatshme të AdZM Tiranë ose AdZM Burrel të cilat mund të ndërhyn për largimin e kafshëve, pa pasur nevojë që të implikohen banorët. Sipas nenit 43 pikat 11;12;13 të ligjit nr. 10 006 të Kodit Penal të Republikës së Shqiperisë, dhuna apo vrasja e individëve të botës së egër dënohet me heqje lirie dhe gjobë deri në 300 000 lek të reja (për individ). I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Mjedisor të vën drejtësin në vend. Urojmë që ky rast tmos të përsëritet" thuhet në reagim.

Ndërkohë që banorët u shprehën para dy ditëve për Report Tv se kjo situatë është bërë e përditshme për ata dhe se po u rrezikohej jeta. Report TV solli videon e rëndë, ku banorët shihen teksa keqtrajtojnë ujkun i cili kishte zbritur në fshat.