Kërkoi rritjen e çmimit të përpunimit të mbetjeve, por Bashkia tha 'jo'/ Landfilli i Bushatit ul traun

6 Janar 2021, 19:31 | Përditesimi: 6 Janar 2021, 20:02

SHKODËR- Pas deklaratave të një ditë më parë për rritjen e tarifës për mbetjet që depozitohen në landfillin e Bushatit, dy kamionë u ndaluan të depozitonin mbeturinat rreth orës 16:00.

Sipas drejtuesve të firmës, kamionët nuk kanë nënshtruar kontratën e re me çmimin e ri për depozitimin e mbetjeve. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton se në orët në vijim pritet që në landfill të mbërrijnë dhe mjete të tjera, çka pritet të sjellë një situatë anormale sa i takon pastrimit të qytetit të Shkodrës.

Ky vendim nuk është vetëm për bashkinë e Shkodrës, por edhe për atë të Lezhës. Kryebashkiakja Ademi kundërshtoi një ditë më parë rritjen e çmimit për depozitimin e mbetjeve, teksa nga Bashkia e Lezhës nuk ka asnjë reagim.  Mësohet se për këtë rritje të çmimeve dhe këtë problematikë, janë informuar edhe institucionet qendrore, ministria e infrastrukturës.

Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës votoi rritjen e tarifës së përpunimit të mbetjeve urbane në landfillin e Bushatit. Shoqëria nderkomunale Bushat kërkoi një rritje e pagesës me 43 % të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landfill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar dhe tarifa e re pritet të aplikohet në fillim të 2021 për bashkinë e Shkodrës dhe të Lezhës. Kjo për kryebashkiaken Ademi do të thotë një kosto shtesë prej 26 milionë lekë të reja në vit, peshë për banorët dhe bizneset, prandaj kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës. 

b.ha./Shqiptarja.com