Këshilli politik për 'Zgjedhoren' merr vendimet e para! Hajdari: Nuk është përjashtuar ndryshimi i sistemit, kam të drejtën e vetos

16 Janar 2020, 20:16

TIRANE- Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore i ngritur me dakordësinë e të gjitha palëve politike si parlamentare dhe jashtë parlamentare zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë, larg syrit të mediave, duke marrë edhe vendimet e para. Këshilli vendosi të caktojë 6 ekspertë ligjorë për hartimin e reformës, ndër to dy nga opozita joparlamentare, dy nga Komisioni për Reformën Zgjedhore (mazhoranca dhe opozita parlamentare) dhe dy të jashtëm.

Pas përfundimit të mbledhjes bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën në Zgjedhore, në cilësinë e bashkëdrejtueses së kësaj tryeze, Rudina Hajdari tha se ndryshimi i sistemit nuk është përjashtuar nga diskutimi, gjë për të cilën u shpreh se po pranohet edhe nga palët e tjera. Ajo deklaroi se roli i saj si bashkëkryetare, prevalon dhe i jep të drejtë e vetos, mbi produktin final, si një formë paralajmërimi për forcat politike që nuk do të aprovojnë hapjen e listave në zgjedhje.

Nga ana tjetër edhe Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i këtij Këshilli, në tragrin e përfaqësuesit të mazhorancës nuk e përjashtoi ndryshimin e sistemit, në kuadër të Reformës Zgjedhore, ndërsa vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike si një kthesë të madhe në këtë proces.

Mbledhja bëri bashkë 10 përfaqësues nga të gjitha forcat politike. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u përfaqësua në mbledhje nga Ervin Bushati, grupi Parlamentar Demokrat nga Alban Zeneli, emër që ka zëvendësuar sot atë të Myslim Murrizin dhe grupi parlamentar i pavarur nga Nimet Musai. Report Tv mësoi më herët se zëvendësimi i Murrizit erdhi për shkak se disa prej anëtarëve të grupit parlamemtar demokrat nuk ishin dakord me këtë vendim.

Ndërsa opozita jashtëparlamentare dërgoi 5 përfaqësues në këtë këshill. Dy nga përfaqësuesit ishin edhe anëtarët e tryezës së djeshme që solli marrëveshjen e shumëpritur për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili. Ndërkohë këtyre emrave iu shtuan edhe Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule, PBDNJ.