KLGJ shtyn vendimin për gjyqtaren Enkelejda Hoxha! Flet babai: Fajin e kanë e eprorët

25 Shkurt 2021, 15:32

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) edhe pas tre seancave nuk ka mundur të japë një vendim nëse do e shkarkojë gjyqtaren Enkelejda Hoxha të arrestuar për korrupsion nga SPAK.

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani i qëndroi kërkesës së tij për shkarkimin e Hoxhës, ndërsa u vu përballë mbrojtjes e cila e kundërshtoi këtë argument. Sipas Metanit, janë 5 raste kur gjyqtarja ka vepruar në kundërshtim me ligjin për t'i dhënë lirinë personave në mënyrë të padrejtë

Ndërsa avokati Ardian Visha tha se qëndrimi ILD-së është i pabazuar. Sipas tij janë vetëm dy raste, lirimi i Ilir Pajës ku s’ka ardhur prej vendimeve të gjyqtares Enkelejda Hoxha, por shumë vendimeve të mëparshme. Gjithashtu dhe rasti i Genci Tafilit, të cilin avokati e sqaroi se ka patur vetëm një lapsus matematikor dhe jo shkelje ligji.

Vendimi për Hoxhën në KLGJ do të jepet më 4 Mars 2021, ndërsa më datë 2 Mars ajo do të njihet me vendimin e Apelit të GJKKO nëse do qëndrojë në qeli apo do ta lirojë nga prangat. Ajo vetë nuk ishte e pranishme, ku kishte lëshuar një deklaratë me shkrim. 

"Seancën gjyqësore do përfaqësohem nga avokati, por theksoj se seanca dëgjimore duhet të shtyhet për shkak të gjendjes e pozitës ku ndodhem, por nuk dëshiroj të shoqërohem nesër", kështu thuhet në deklaratën që e ka bërë me shkrim dore nga gjyqtarja. 

Të pranishëm tek Poli i Drejtësisë ishin babai dhe vajza e gjyqtares, ku i moshuari hodhi akuza të rënda duke pretenduar se kriminelët i lirojnë burgjet dhe jo vajza e saj.