Klosi i refuzon lejen mjedisore kompanisë që do ndërtonte TEC në Korçë, Basha mosbesues

11 Mars 2019, 18:39

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, firmosi refuzimin e lejes mjedisore për një Termocentral pranë qytetit të Korçës. Një ditë më parë ishte kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo që përmes një letre i kërkoi ministrit të mos aprovojë TEC-in me argumentin se ndot mjedisin.

"Projekti nuk përmbush standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian", tha sot ministri Klosi duke njoftuar se ju refuzua leja mjedisore subjektit GPP Korça.

Për këtë situatë, ka folur nga Korça edhe lideri demokrat Lulzim Basha, i cili tha se Termocentrali ishte një aferë korruptive.  Sipas kryedemokratit Basha është një lojë e qeverisë kjo që po ndodh, pasi siç ai pretendon, leja është firmosur.

"TEC-in në Korçë ne e kemi denoncuar si një aferë korruptive fdhe kriminale. Sepse nuk bëhet për sistemin energjik shqiptar. Ai TEC po ndërtohet që energjia të çohet në Greqi. Qytetet fqinje e kanë refuzuar dhe tani korrupsioni është kokë më kokë me biznesmenë që i qëndrojnë kësaj afere, që ta bëjë TEC –n në Korçë. Të helmojë qytetarët korçarë me miliona ton dioksid karboni. Tani meqënëse njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe ne kemi ngritur zërin, qeveria ka filluar gjoja të tërhiqet sepse kjo qeveri edhe është hajdute por edhe frikacake.

Ja ku është e vërteta. Edi Rama e ka firmosur dhe bën gjoja sikur tërhiqet. Nxjerr këto qoftet e qeverisë. Jo Blend Klosin e kryetarin e Bashkisë. Të gjithë janë brenda, janë pjesë e kësaj afere. Helmi mbi Korçën pasuron Edi Ramën. Shikojeni firmën e Edi Ramës, Niko Peleshit, Sotiraq Filo. Kjo është qeveri kriminale. Se për të pasuruar Edi Ramën dhe oligarkët e TEC-it, janë gati të helmojnë popullin e tyre. Këtë po bëjnë po në Elbasan, Tiranë, Fier, tani do ta bëjnë me TEC-in në Korçë. E ka kuptuar që populli po ngrihet, por ka filluar të hedhë hapa prapa si akrepi", tha Basha gjatë një takimi me qytetarët e Korçës.

    No videos found.