Komisioni për shkarkimin e Metës, Braho: Janë rreth 40 postime me përmbajtje fyese e denigruese!

17 Maj 2021, 15:35

Komisioni Hetimor në mbledhjen e radhës për hetimin e shkeljeve nga Presidenti Ilir Meta, ka publikuar edhe disa video me deklaratat e Kreut të Shtetit, të bëra para zgjedhjeve të 25 prillit.

Krahas provave filmike të marra nga deklaratat e Presidentit në studiot televizive, para dhe gjatë fushatës, deputeti Edmon Stojku, anëtarë i komisionit, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive.

Ai kërkoi që të bashkëpunohet me Presidencën, për të marrë të gjithë volumin e nevojshëm të këtij aktiviteti. Nga krahu tjetër, kryetari i komisionit, Alket Hyseni, tha se një kërkesë e tillë pikë së pari duhet të paraqitet në Kuvend, e nëse atje konfirmohet, mund të ndërmerret edhe një akt i tillë.

Po ashtu edhe anëtarja e komisionit, Klotilda Bushka, renditi fjalët denigruese e fyese sipas saj, që Presidenti ka përdorur para dhe gjatë fushatës elektorale. Spartak Braho, i cilësoi përmbajtjet filmike të Presidentit nga studiot televizive dhe postimet në rrjete sociale, si denigruese e fyese, e në kundërshtim të plotë sipas tij me ligjin.

Alket Hyseni: Ka ardhur një letër, një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, ku paraqitet një korrespondencë e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është gjykuar e nevojshme për faktin që nëse ka ndërhyrje të institucionit të Presidencës në këtë komision kushtetues.

Edmond Stojku: Ka shumë kohë që diskutohet mënyra e dhënies së nënshtetësisë nga Presidenti i Republikës. Rasti i Presidencës lituaneze për këtë proces, them që në provat të shtohet edhe kjo pikë, që ka qenë temë e nxehtë për të paktën dy vitesh. Duhet të kërkojmë bashkëpunimin e Presidencës që të na vendosin në dispozicion këto shkresa dhe të shohim nëse ka shkelje.