Korçë/ Sherri për dritën e shkallës, fqinji vret me thikë në shtëpi 67-vjeçarin dhe e lë në oborr

24 Prill 2020, 13:29

KORÇË- Sherri për dritën e shkallës ka agravuar deri në përdorimin e thikës, kur fqinji ka vrarë fqinjin në banesën e tij. Report Tv sjell detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Korçë e një nate më parë, ku humbi jetën 67-vjeçari Petrika Treska.

Mësohet se është arrestuar fqinji i viktimës, Apostol Bozhgolli, 65 vjeç si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë. Dyshohet se Bozhgolli pas një sherri për dritën e shkallës e ka qëlluar me thikë Treskën në banesën e tij dhe më pas e ka nxjerrë në oborr. 67-vjeçari është gjetur nga gruaja e tij në gjendje të rëndë, e cila e ka dërguar menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur dot t'i mbijetojë plagëve të marra.Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku në lagjen nr. 7, humbi jetën një 67-vjeçar. Arrestohet në flagrancë për veprën penale "Vrasja me dashje" fqinji i tij, si autor i dyshuar i ngjarjes. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 23.04.2020, ku në lagjen nr. 7, në banesë, u godit me thikë dhe për pasojë gjeti vdekjen shtetasi P. T., 67 vjeç, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit A. B., 65 vjeç, banues në Korçë. Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), i përdorur në krim nga autori i dyshuar A. B", njofton policia.