Koronavirusi/ E gjithë Italia 'zonë e mbrojtur'! Kryeministri Conte: Sot është momenti i përgjegjësisë

10 Mars 2020, 12:10

"Nëse shëndeti publik është në rrezik, ne duhet ta vendosim atë para interesave të tjera"- ky ishte thelbi i fjalës së kryeministrit italian Giuseppe Conte teksa shpalli masat e reja në përgjigje të epidemisë nga koronavirusi.

Nga dita e sotme kufizimi i lëvizjes i urdhëruar në 8 Mars për Lombardinë dhe 14 provincat e tjera qendrore-veriore, tani është shtrirë në të gjithë territorin kombëtar.
"Nuk ka më një zonë të kuqe - tha Kryeministri Conte - do të ketë vetëm një Itali që shpallet zonë e mbrojtur. "Objektivi ynë kryesor është shëndeti i qytetarëve i cili prevalon mbi interesat e tjera. E ardhmja e Italisë është në duart tona dhe secili duhet të bëj pjesën e tij".

Ai falenderoi të gjithë ata që me mirëkuptim po përpiqen të heqin dorë nga jeta normale, por dhe nisi një apel për përgjegjësi.
"Vendimi i duhur sot - tha Conte - është të qëndrojmë në shtëpi. E ardhmja e Italisë është në duart tona. Dhe këto duar duhet të jenë duar të përgjegjshme, sot më shumë se kurrë".

Kryeministri italian tha se "nuk ka kohë" për të humbur nëse duam të ndalojmë përparimin e infeksionit nga koronavirusi. Të gjithë duhet të heqin dorë nga diçka për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Sot është momenti i përgjegjësisë. Nuk mund ta ulim vigjilencën tonë."

Conte gjithashtu njoftoi pezullimin e të gjitha eventeve sportive, përfshi Kampionatin e Futbollit, Seria A si dhe zgjatjen e afatit të mbylljes së shkollave deri me 3 prill. Duke filluar nga sot, baret dhe restorantet në të gjithë Italinë do të duhet të qëndrojnë të hapura deri në orën 18. Mbyllen diskotekat dhe sallat e lojrave të fatit, ndalohen organizimet e ceremonive të dasmave dhe vdekjeve, mbyllen muzetë, teatrot dhe kinematë.