Koronavirusi/ MSH: Të vetëkarantinohen 14 ditë personat që vijnë nga zonat e prekura!

8 Mars 2020, 14:35

TIRANE-Ministria e Shëndetësisë njofton se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus. "Strukturat shëndetësore po vijojnë testimet për COVID-19, sipas përkufizimit të rastit, për çdo rast të dyshuar, në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP, ku në total numri i rasteve të tesuara ka shkuar në 59. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID-19.  Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri. Rastet e testuara deri tani i përkasin kryesisht: Tiranës, Shkodrës, Durrës, Fierit, Lezhës dhe Vlorës".

Sipas të dhënave të Njësive Shëndetësore kufitare, vijon më tej ministria e Shëndetësisë, "në 24 orët e fundit në te gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë  23,035 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës. Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka patur 1391 thirrje, nga të cilat 29 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë".

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për udhëtarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. Gjithashtu rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenja të infeksionit viral respirator të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si duhet të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.

Po sipas ministrisë, ISHP-ja ka kapacitetet laboratorike për të kryer diagnozën e plotë të COVID-19 dhe "kemi kapacitetet e nevojshme për këtë fazë ku jemi por edhe për faza të tjera. Komiteti Teknik për COVID-19 ka përcaktuar se si do veprohet për rastin 1 e më tej në drejtim të menaxhimit klinik si dhe ndjekjes së personave të kontaktit dhe karantinimin e tyre. Spitali Infektiv do të jetë spitali që do të menaxhojë rastet e para, me një staf të përcaktuar dhe të trajnuar dhe në varësi të numrit të rasteve janë përcaktuar spitalet COVID 1 dhe COVID 2 si dhe spitalet dhe stafi mjekësor ku do të zhvendosen pacientët ekzistues" thuhet në njoftim. Qeveria italiane bllokoi lëvizjen në 14 provinca me 16 milionë qytetarë. Megjithatë nga zonat me rrezik të kuq në Itali nuk janë ndërprerë fluturimet drejt Shqipërisë, lëvizja e njerëzve vijon normalisht.