BRUKSEL- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel, ku ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas Bashës, çelja e negociatave me BE-në do të zhdukte në Shqipëri kandidimin e personave me të shkuar kriminale, referuar këtu rastit të kandidatit të Shkodrës, Valdrin Pjetri dhe atij të Vorës, Agim Kajmaku.
“Hapja e negociatave është e rëndësishme pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë. Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore", tha Basha.Në këtë takim, Basha shoqërohet nga Argen Kashahut, i cili mori postin e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë vetëm një ditë më parë, pas largimit të Gerd Bogdanit. Punimet e Asambelesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në axhendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Evropa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb.