'Krimi Ekonomik' zbarkon në Kadastrën e Vlorës, 23 punonjës nën hetim për tjetërsim pronash

11 Shtator 2019, 11:50 | Përditesimi i fundit: 2019-09-11 19:20:12

VLORE-Tre ditë pas furtunës së shkarkimeve në Kadastrën e qytetit bregdetar që vijoi edhe sot me një tjetër dorëheqje, zbarkoi paradite njësia e anti-krimit ekonomik duke vendosur në hetim 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri. Burime për Report Tv nga ky institucion pohuan për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili se hipotekimi i pronës në Jalë për të cilën kanë nisur hetimet është bërë kundër parashikimeve ligjore duke i kaluar një tjetri.

Pas denoncimit të rastit, anti-krimi ekonomik ka shkuar paraditen e sotme në ambientet e Kadastrës së Vlorës për të sekuestruar dokumentet në lidhje me hetimin që po bëhet. Po ashtu prej një jave Kontrolli i Lartë i Shtetit vijon kontrollin në Kadastër. Ndërkohë që sot ka dhënë dorëheqjen një tjetër zyrtar i Kadastrës, n/ drejtori tjetër i këtij institucioni për ALUIZNI-t, Ardian Musta, ndërsa arsyet nuk dihen.