Kryemadhi akuza Ramës: Sjellja e tij antishqiptare! Shengeni ballkanik synon copëtimin e Kosovës dhe i vë flakën rajonit

5 Janar 2020, 21:50

TIRANE- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka risjellë një deklaratë të bërë gjatë konventës së LSI, ku kritikon kreun e qeverisë Edi Rama, për sjelljen ndaj Kosovës, ndërsa e quan shengenin ballkanik nismë anti-shqiptare. Kryemadhi shprehet se Rama po promovon shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, gjë e cila copëton jo vetëm Kosovën por i vë zjarrin gjithë rajonit.

"Sjellja e Edi Ramës ndaj Kosovës, antishqiptare. Sjellja e tij ndaj Kosovës, eshte qartësisht antishqiptare: nuk mund të quhet ndryshe promovimi i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, që copëton jo vetëm Kosovën, por i vë zjarrin gjithë rajonit apo fishekzjarret e tij demagogjike për Shqipërinë e Madhe, nuk mund të quhet veçse destabilitet.

Nuk mund të quhet veçse antishqiptare një politikë presioni ndaj Kosovës për çështje të rëndësishme të marrëdhënies së saj me Serbinë, si ajo e taksës. Nuk mund të quhet ndryshe angazhimi në nisma rajonale, jo-transparente, pa qëllime e objektiva të qarta, si e ashtuquajtura Mini-shengen, duke përjashtuar dhe tradhëtuar Kosovën dhe duke fyer publikisht udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës", deklaron Kryemadhi.

    No videos found.