LSI prezantoi sot programin e LSI për Durrësin! Në këtë takim është lancuar një projekt i cili sipas LSI do ndërtojë 2 zona të lira ekonomike. Drejtuesja Politike e Qarkut të Durrësit, Elona Guri tha se ky është vizioni i LSI-së për ndryshimin dhe transformimin rrënjësor ekonomik dhe social të Durrësit.
Sipas saj, projekti i rindërtimit po përdoret për demagogji kurse vaksinimi për elegji, por se kjo do të marrë fund më 25 prill. Ajo tha më tej se kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2.
"“Kemi shprehur vullnetin për të ndërtuar në Durrës zona të lira ekonomike. Durrësi ëhstë kapur në duart e 2 personave. Ne duhet të çlirojmë ekonominë nga monopolet. Ne duhet të tërheqim investimet që krijojnë punësim. Për këtë arsye, në platformën politike të LSI-së, kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2”, tha ajo.
Gjatë prezantimit të programit ka qenë e pranishme dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila ka deklaruar se me ardhjen e partisë së saj në pushtet Shqipëria do të kthehet në ‘shtëpinë e investimeve’.
Ky program sipas Kryemadhit ndër të tjera krijon mundësi për punësim, tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për të shmangur shpopullimin. Kryetarja e LSI ka hedhur akuza dhe ndaj qeverisë duke thënë se investitorët e huaj janë përzënë nga Shqipëria, ndërsa shtoi se përgjatë këtyre viteve të qeverisjes nga Rama nuk ka pasur investime të reja. Ajo theksoi se porti i Durrësit do të jetë një stacion lider në rajon. Ndërkaq Kryemadhi tha se ekonomia shqiptare është ‘marrë peng’ nga kjo qeveri.
Në fund Kryemadhi duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama i cili dje tha se në vendin tonë nuk ka oligarkë, shtoi se ai dje bëri avokatin e tyre.
