Kryemadhi vendos kandidat për deputet në Elbasan ‘vrasësin në timon’, i akuzuar dhe për grabitjen e 500 milionë lekëve

8 Mars 2021, 12:41

Kandidati i Lëvizjes Socialiste në Elbasan, Sokol Skura, i pesti në listë në këtë qytet, rezulton të jetë në masën ‘arrest me burg’, në komisariatin Elbasanit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Skura është dënuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Ky person në vitin 2015 është arrestuar përsëri për vrasjen e një kalimtari në gjendje të dehur, në Mengël të Elbasanit.

Sokol Skurën, Partia Socialiste e ka larguar që në vitin 2015, kur ai u akuzua për korrupsion në skandalin e grabitjes së rreth 500 milionë lekëve nga Fondi i Rimbursimit të Barnave.

Ish-nëndrejtori i FDSKSH, (Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor)  Sokol Skura, ka qenë kandidat për deputet në Librazhd në zgjedhjet e 2013. Sokol Skura, ishte i fundit në listën e kandidatëve për qarkun e Elbasanit dhe nuk ia doli të ulet në karrigen e Kuvendit. Ndërkohë në 2017 emri i Sokol Skurës doli dhe në raportin e Departamentit të Antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave për vjedhjen e barnave me rimbursim për të cilën llogaritet një dëm prej 1.5 miliardë lekësh.

Rrjeti i farmacistëve lidhura me ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u vunë në hetim për mashtrim me rimbursimet përmes recetave të falsifikuara në emër të personave të vdekur ose atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Nuk është habi që të gjithë personat problematikë gjejnë strehë pranë LSI, pasi kjo parti nuk ka elektorat as identitet politik. Mbështetësit e saj të vetëm janë personat të cilët duan të bëjnë karrierë dhe që nuk kanë asnjë ideal veç interesit dhe pasurimit në një kohë të shpejtë nëpërmjet korrupsionit.

Kujtojmë se ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u ka kërkuar partive të largojnë personat e inkriminuar nga radhët e tyre, por duket se si gjithmonë për LSI-në porositë e SHBA kanë rënë vesh të shurdhër.