Kryente martesa mes të rinjve dhe i çonte luftëtarë të ISIS/ Burg për 43-vjeçaren: Doja të shkoja të kryeja dënimin, por Italia s'më lejoi

8 Shtator 2020, 11:35

TIRANË - Gjykata e Tiranës ka caktuar masën "Arrest me Burg" këtë të martë (8 shtator) për Lubjana Gjeçajn e cila ka qenë e dënuar për terrorizëm në Itali.

Masa e sigurisë është vendosur me qëllim ekstradimin e saj në Itali. Lubjana është shprehur për autoritetet shqiptare se ka qenë në dijeni për dënimin në vendin fqinj.

Ajo është shprehur se ka dashur të vuajë dënimin në Itali por autoritetet nuk e kanë lejuar. 43-vjeçarja do të bëjë kërkesë që ta kryejë dënimin në Shqipëri.

Lubjana Gjeçaj, nëna e tre fëmijëve i përkiste një grupi të strukturuar kriminal që kryenin martesa mes të rinjve dhe i dërgonin në Turqi për të kaluar më pas në Siri me ISIS.

Ajo u arrestua 3 ditë më parë (4 shtator) në Tiranë në një bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe ato shqiptare.

Një krushqi e lidhur në vitin 2014 mes familjes së një vajze të re italiane dhe një shqiptari me origjinë nga Laçi u shndërrua në një celulë terroriste që rekrutonte luftëtarë për ISIS-in (shtetin islamik). 

Pas 8 muajve hetime në 2014, në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete në Itali dhe në Lushnje të Shqipërisë, 10 persona ranë në pranga (4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez). 

Pjesë e këtij grupi ishte Baki Çoku, Dritan Gjeçaj, Aldo Kobuzi, Arta Kakabuni, dhe Lubjana Gjeçaj, e arrestuar pasditen e së premtes (4 shtator) në Tiranë.