Kulluri për Report Tv: Javën e parë të dhjetorit mbledhim Kuvendin Kombëtar

23 Tetor 2021, 22:49

TIRANË- Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet javën e parë të dhjetorit. Kështu ka deklaruar në Report Tv, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri. Sipas tij, Kuvendi Kombëtar pritet të mblidhet në datën e themelimit të PD-së. Ai tha se rreth 80% e delegatëve janë dakord me iniciativën e Berishës për të thirrur Kuvendin Kombëtar.

“Nëse në demokraci quhet shprehja e vullnetit të shumicës dërrmuese anti-demokratike apo përçarje nuk e di ku se mbi çfarë bazohet kjo akuzë e bërë nga Basha dhe suflerët e tij. Partia Demokratike është bashki vullnetar, i lirë, i njerëzve që kanë pikëpamje e interesa të Përbashkëta. Në momentin që shumica dërrmuese, të paktën në nivel Kuvendi janë 80% e delegatëve, janë dakord me iniciativën e Berishës për të thirrur Kuvendin dhe janë dakord me tezat. Në fakt janë kritikat që në kemi ngritur si Grup i PD prej 4 vitesh. Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë përçarje, por për një shumicë dominate që merr pjesë në Kuvendin e ardhëm të PD, që mesa duket do mbahet javën e parë të dhjetorit, mesa kuptoj unë, edhe për të përkuar mbase me ditën që është themeluar Partia Demokratike, në vitin 1990, për simbolikë besoj këtu do shkojmë. Në demokraci vendos shumica dhe këtu bëhet fjalë për shumicë dërrmuese, nuk jemi në kushtet e 51% të anëtarësisë apo kuvendit, por mbi tre të katërtat e delegatëve janë me një mendje me Berishën”, tha Kulluri.