Kultivonin lëndë narkotike në fshatrat e Krujës, policia arreston në flagrancë 2 persona

12 Maj 2021, 10:59

Dy persona janë vënë në pranga të policisë për kultivim të bimëve narkotike gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia e Krujës në Thumanë.

Burime bëjnë me dije se janë arrestuar Shkëlqim Saka, 42-vjeç dhe Tonin Shota, 47 vjeç.

Shkëlqim Saka, 42 vjeç banues në Gramëz, Krujë, është arrestuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për të njëjtën vepër penale.

Në momentin e kapjes, në fshatin Mallkuç, efektivet e Policisë kanë konstatuar këtë shtetas duke hapur 50 gropa si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike canabis sativa.  

Ndërkohë është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi Tonin Shota banues në Mallkuç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës së tij, kanë gjetur të kultivuara disa bimë cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.   

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.