Kur do të takohen Rama dhe Basha? - Pjesa e dytë

27 Maj 2019, 06:56

Kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo deklaron se opozita nesër nuk duhet të zhvillojë një protestë të dhunshme pasi kjo do ndikojë negativisht në imazhin e saj në sy të ndërkombëtarëve.

"Amerikanët do reflektojnë para se të rishprehen. Ose do ketë një deklaratë të Palmer që mbulon rajonin për të na dhënë një deklaratë që pritet në ditët e ardhshme. Uroj dhe shpresoj që nesër protesta të jetë paqësore. Opozitës i duhet të dëshmojë një profil qytetar pasi dhuna do dëmtojë në radhë të parë atë. Opozita e ka kujdesin se një akt i dhunshëm nesër do shkonte në tryezat perëndimore të cilat do reagonin keq ndaj saj. Opozita nesër duhet të jetë e vëmendshme", u shpreh Milo.

Gjergj Koja, ish-ministri i Shëndetësisë tha në Repolitix se kryeministri nuk mund të largohet se dikush nuk e do pasi kjo nuk është bazë për demokracinë.

"Rama është shumë i qartë. I bën këto për të treguar se po pret të ulet në dialog por se çfarë do prodhojë tryeza mbetet një çështje për t'u parë. Po u ulën në dialog nën menazhimin e të huajve, do ketë një produkt. Ky dialog është i domosdoshëm që të nisë. E diskutojmë datën e zgjedhjeve kur janë thirrur shqiptarët në zgjedhje. Nëse ne krijojmë precedentin se ka mungesë të votimit në popull se nuk të dua ty si kryeministër, kjo nuk është bazë për demokracinë në vend. Në 2017 nuk foli askush. Sot le të ulen në dialog politik", tha Koja.