Kurbin, të veshur si policë, kamerat fiksuan 4 autorët, atentatorin e plagosur e çuan në shtëpi

1 Qershor 2020, 14:58

TIRANE-REPORT TV zbardh detaje të reja nga atentati mbrëmjen e së shtunës në Kurbin, ku Paulin Gjergji alias Markaj dhe Bujar Hasani alias Lika, u ekzekutuan me 5 plumba. Kamerat e sigurisë të biznesit ku ndodhi ngjarja kanë filmuar gjithçka, ndërkohë në pamjet filmike tregohet se autorët kanë qenë katër, të maskuar dhe të veshur si policë. Nisur nga skema dhe organizimi ka dyshime të forta se ky atentat ka qenë i planifikuar dhe paguar nga persona të tjerë, që kanë konflikte me Bujar Hasanin dhe Paulin Gjergjin. Nga atentati mbeti i plagosur njëri nga autorët, pasi Bujar Lika reagoi duke u kundërpërgjigjur me zjarr.

I plagosur nga tre të shtënat e Likës mbeti Kreshnik Tusha. Tre të tjerët që ishin në skuadër nuk e braktisën, por e morën në makinë me shpejtësi duke e dërguar në shtëpi. Pasi ka hequr rrobat e policisë që kishte veshur dhe maskën ai është dërguar nga familja në spitalin e Kurbinit duke pohuar se është vetëplagosur aksidentalisht, por pretendimi nuk është marrë për bazë nga organet. Pritet që në ditët në vijim Kreshnik Tusha person i papunë nga Laçi, të merret në pyetje dhe t’i caktohet masa e sigurisë nga gjykata e Kurbinit.

Por kush ishte objektivi? Policia dhe prokuroria e Laçit nuk kanë një version zyrtar se kush ishte shënjestra e këtij sulmi me armë, që përfundoi me dy të vrarë, Bujar Likën dhe Paulin Gjergji alias Markaj, pronar i disa bizneseve në Shqipëri, kompanisë “Antoni New-York”, kompania e kazinove “Intertronic” (Vegasi në Bllok) dhe kompania e tregtimit të gazit në Shqipëri “Petro Gaz Albania-n” nuk mundi t’i mbijetojë kësaj ngjarje duke ndërruar jetë në spitalin e Traumës. Sipas burimeve të policisë Paulin Gjergji, ka qenë dhe pronar i ish-Bar Restorant “Nicolini” në afërsi të ish-hotel “Dajtit”. Paulin Gjergji nuk dihet me saktësi nëse ka qenë rastësisht në këtë ngjarje apo ka qenë objektivi.

Bujar Hasani (Lika) njihej si miku i Ervis Martinit, person me precedent penal, por në disa raste ka mundur t’ia hedhë drejtësisë. Në ngjarjen ku mbeti i vrarë Enton Nikaj në zonën e Dajtit në Tiranë, Bujar Hasani, u deklarua i pafajshëm nga gjykata e Apelit Tiranë. Bujar Lika kishte në pronësi lokalin "Dea Cafe" në ish-Bllok.