Kurti i kthen letrën Thaçit: Mos bëj presion, jemi afër marrëveshjes me LDK

13 Janar 2020, 13:46

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me anë të një letre  i ka kthyer përgjigje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ku i ka kërkuar që të mos bëjë presion për krijimin e qeverisë së re.

Ne kemi pranuar letrën tuaj të datës 10 janar 2020. Duke dashur të mirëkuptojmë rolin tuaj kushtetues, dua që fillimisht me keqardhje të konstatoj se mesazhi juaj përbën ndërhyrje dhe paragjykim të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues, në këtë rast për subjektin fitues”, ka shkruar Kurti në përgjigjen e tij duke theksuar se “roli i presidentit duhet parë vetëm në kuadër të pozicionit kushtetues që ka, e jo pozicionimit të tij subjektiv dhe politik”.

Ndër të tjera në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit thuhet se Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në krijimin e qeverisë, mirëpo shton se presidenti duhet të jetë neutral dhe i duruar.

“Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë në Kuvend. Kjo si rrjedhojë e parimit që quhet ‘zinxhir i legjitimimit kushtetues’ ku i vetmi organ kushtetues që legjitimohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli është Kuvendi, andaj, ndaj të njëjtit mund t’i supozohet ose t’i imponohet shprehja e vullnetit nga një organ tjetër sikur që është Presidenti i Republikës”, thuhet tutje në letrën e Kurtit.

“Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë. Formimi i Qeverisë nuk është i lidhur me afate (përjashtimisht pas mandatimit zyrtar të cilin e bën Presidenti pasi t’i jetë ofruar zyrtarisht emri i kandidatit), për shkak se demokracia nuk është thjesht grumbullim numrash, por përafrim qëndrimesh, harmonizim programesh e bartje përgjegjësish”

Në fund të letrës Kurti shkruan se është shumë pranë një marrëveshje politike me LDK për krijimin e qeverisë së re kosovare, megjithatë shprehet se ende nuk e kanë gati propozimin për ndarjen e mandateve.