Kush janë 5 gratë e fondacionit të kredive dhe sekserët që mashtruan qindra qytetarë në Tiranë

22 Gusht 2019, 14:02

TIRANE  - 7 persona, mes tyre drejtoresha e një filiali të fondacionit të kredive "Besa" në Tiranë, Albana Imami, janë arrestuar për 2 milion euro kredi me skema fiktive.

Operacioni “Kredia” është kryer nga Policia Kriminale e Tiranës ndërsa ReportTv ka mësuar se një i tetë është shpallur në kërkim dhe ai është oficeri i Kredisë, Dritan Kolthi.

Në pranga kanë rënë Albana Imami, Orkida Driza, Blerina Kanani, me detyrë Oficere kredie, Matilda Domi, Oficere kredie, Mihal Hanxahri, ish-Oficer kredie, Esmeralda  Vaso, Oficere kredie, A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive.

Operacioni është finalizuar mëngjesin e kësaj të mërkure, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetimet të mëtejshme.

Sipas skemës fiktive, ka rezultuar se Imami instruktonte vartësit e saj të gjenin persona të interesuar për kreditim dhe ata pa u paraqitur fare në zyrat e fondacionit “Besa’ merrnin kredi.

Qytetarët që kanë firmosur rezulton se merrnin kredi në vlerat 20-30 mijë lekë ndërsa në realitet kredia e firmosur nga Imami dhe vartësit e saj shkonte deri në 1 dhe 1.5 milion lekë.

Mbi 250 dosje aplikimi kredish janë bllokuar nga Krimi Ekonomik për t'iu nënshtruar hetimit, ndërsa operacioni vazhdon për arrestimin e Dritan Kalthi.

Klientë të kësaj skeme sipas materialeve që Report Tv ka mundur të lexojë, rezultojnë shumica e tyre banorë të zonës së Shkozës pranë Banesave Sociale në Tiranë, disa banorë të Vorës dhe persona në vështirësi ekonomike që janë përdorur nga grupi prej 7 të arrestuarish.

Ndërsa për Policinë e Tiranës pas mashtrimit me 2 milion euro Albana Imami kishte krijuar edhe një borxh prej 1.7 milion euro për të shlyer dëmin që kishte shkaktuar me kreditë fiktive duke e çuar në total 3.7 milion euro skemë piramidale.

Të arrestuarit

Albana Imami, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit
Blerina Kanani, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit
Matilda Domi, 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit
Mihal Hanxhari, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit
Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit
Orkida Driza, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg” pasi ka aksidentuar me vdekje një perosn, dhe akuza e re do t’i komunikohet në ambientet e burgut.