Kuvendi voton ndryshimet në buxhet, 12 miliardë lekë për anti-Covid-19! Shtyhet pagesa e tatim-fitimit e qirasë

16 Prill 2020, 21:26

Në seancën e parë parlamentare, pas përhapjes së COVID-19, në vendin tonë janë miratuar një sërë aktesh normative të karakterit ekonomik. Fillimisht Kuvendi ka miratuar me 100 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2020, duke alokuar fondet e nevojshme për përballimin e emergjencës së parë të pandemisë. Rreth 12 miliardë lekë ishte fondi i parë që kaloi për përballimin e emergjencës ku 6.5 miliardë lekë shkuan për pagat e punonjësve, 2.5 miliardë do për sektorin e shëndetësisë, 2 miliardë lekë të tjera për furnizimin me ushqime përsëri për të përballuar COVID-19 dhe 1 miliardë për fondin rezervë.Nga fondi prej 6.5 miliardë lekësh që është edhe paketa e parë për pagat e punonjësve që kanë mbetur të papunë, me 26 mijë lekë në muaj, pritet të përfitojnë rreth 123 mijë persona nga të cilët 60,421 individë, të punësuar e vetëpunësuar në biznese të vegjël me xhiro 0-14 milionë lekë ne vit, përfitojnë pagë 26 mijë lekë muaj. Po kështu brenda kësaj kategorie përfitojnë edhe 30 mijë të punësuar, të cilët kanë deklaruar pagë 0. Rreth 70 mijë familje në ndihmë ekonomike, përfitojnë dyfishin e pagesës aktuale të ndihmës ekonomike. Dhe 2,700 individë me pagesë papunësie, përfitojnë dyfishin e pagesë aktuale të papunësisë.