Seancë historike! Deputetët me maska, në rresht e ulur në lozha, qeveri-opozitë votojnë masat mbi COVID, vetëm Hajdari kundër ndryshimit të Kodit Penal

TIRANË - Një seancë historike si për nga masat, pamjen e deputetëve, kushtet e zhvilluara, por edhe votimin thuajse unanim qeveri-opozitë me përjashtim të Rudina Hajdarit, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar ndryshimet në Kodin Penal për kriminalizimin e thyerjes së karantinës dhe përhapjes me dashje të sëmundjes, por edhe pikave 22 pikave të tjera që ishin në rendin e ditës, ku përfshihen Aktet Normative dhe ndryshimet në buxhet. Deputetja e opozitës Rudina Hajdari tha se i mirëpret këto përmirësime që janë bërë, por theksoi se nuk është momenti i duhur që në një kohë pandemie të ndryshohet Kodi Penal.
1587068248_rudinahajdari.jpg

Rudina Hajdari duke votuar kundër

Si asnjëherë më parë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë iu drejtuan sallës së seancës plenare me maska dhe doreza, dhe me një staf mjekësor që i priste në hyrje për t'u matur temperaturën.  Pozicioni në Kuvend ishte historik, pasi vendim dhe llozhat ku qëndrojnë mediat apo ambasadorët këtë herë ishin vendosur deputetët, për të respektuar distancimit social. Për rreth 3 orë, deputetët nën masa të rrepta sigurie diskutuan aktet normative dhe ndryshimet në Kodin Penal në lidhje e pandeminë e COVID-19, që pavarësisht përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës, në fund u miratuan. Të 'armatosur' me maska e doreza deputetët votuan po ashtu në mënyrën më të pazakontë, me fleta dhe më pas i hodhën ata në kutinë e votimit. Që në hyrje deputetët u vendosën në radhë, iu mat temperatura dhe u pajisën me maska e dorëza për të mbrojtur sa më shumë vetën dhe kolegun. 10 ministra u ulën në llozhat lart, ndërsa 6 poshtë. Kurse, 30 deputetë u pozicionuan në llozhat lart dhe 34 poshtë. Seanca nisi me thirrjen e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, për të nxjerrë disa mësime të mira nga kjo situatë.

Në vlerësimin e plotë të situatës Rama tha se qeveria ia doli me sukses me masat e marra duke mbajtur nën kontroll përhapjen e infektimit me koronavirus, ndërsa shtoi se  betejën me frontin e shëndetësisë po e fitojmë dhe të njëjtën gjë do bëjnë dhe me frontin e ekonomisë. Pa maska dhe doreza, nga foltorja e Kuvendit kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria po përgatit një protokoll sigurie për një hapje graduale në javët në vijim.  Për të shuar të gjitha debatet për ndryshimet në kodin Penal, Rama tha se këto ndryshime do të jenë vetëm periudhën e pandemisë.

Pandemia ndryshoi edhe rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi vendosi që mbledhjet e komisioneve në rast të gjendjes së jashtëzakonshme të kryhen online ndërsa i dha mundësi kuvendit që seancat parlamentare të mund të realizohen me një numër të reduktuar deputetësh.

VIDEO/ Fjala e kryeministrit Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:33
Rama zbulon dakordësitë dhe debatet në mbledhjen me Metën e Bashën që solli votimin e rëndësishëm në Kuvend

Kryeministri Edi Rama i quajti votimet në Kuvend së bashku me ndryshimet për në Kodin Penal, sipas disa ndryshimeve të propozuara nga Presidenti Ilir Meta.

Një mbledhje me debate për opinionet natyrshëm të ndryshme mes palëve, që prodhoi konsensusin politik për të sjellë ndryshime në Kodin Penal që për herë të parë përfshijnë ndëshkrimet nga gjobë deri në burg për epidemitë.

Në një përgjigje për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri në përfundim të seancës të jashtëzakonshme ku u votuan ndryshimet në Kodin Penal, kryeministri tha se dakordësia ishte arritur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë një ditë më parë.

Rama pranoi se ka pasur debate mes tij dhe liderit demokrat Lulzim Basha, por tha se mbledhja ishte sipas tij një shembull që duhet ndjekur edhe në politikën publike sa i përket përballjes së mendimeve të ndryshme.

"Po mos të kishte debate atëherë pse u bë mbledhja, se nuk u mblodhëm për t'u parë në sy dhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin, u mblodhëm për të shkëmbyer opinione që natyrshëm nuk janë të njëjta. E rëndësishme është cilësia e debatit dhe mënyra se edhe kur nuk biem dakord , shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Nëse toni dhe shkëmbimi i mendimeve të kundërta, dhe pozicionimi kundër i natyrshëm do të ishte edhe në jetën politike publike, do të ishte si në dy mbledhjet e fundit të këshillit të sigurisë kombëtare, politika do të ishte shumë më e pranueshme dhe e besueshme për njerëzit", tha Rama.

Rama tha se me masat lehtësuese për bizneset ku shumë prej tyre pritet të hapen nisur nga situata nën kontroll që Shqipëria ka pasur me përballimin e pandemisë, do të duhet të ashpërsohen ndëshkimet që të mos ketë sërish kthesë në izolim.

"Unë mendoj që sot është bërë një punë e mirë në funksion të situatës, përtej të gjitha fjalëve, kritikave, akuzave, ne sot kemi mbushur një boshllëk të kodit tonë penal që rezultonte i vetmi në Evropë pa asgjë të shkruar për një situatë epidemie, dhe për më tepër në këtë fazë ku ne po përgatitemi të hyjmë në procesin e një hapje graduale të aktivitetit ekonomik dhe të normalizimit sa është e mundur të jetës. Ishte e pamundur të konceptohej që paralelisht të mos kishim edhe këto masa që të garantojnë hapjen. Se ajo që kemi vënë re 10 ditët e fundit, një shqetësim i ardhur edhe nga drejtuesit e policisë, është një lloj relaksimi dhe një lloj lëshimi që nuk mund të kthehet në fenomen se është shumë i rrezikshëm. Ne kemi rezultate të shkëlqyera në frontin e luftës sa i përket shëndetësisë, pavarësisht se kemi humbje jetësh dhe çdo jetë është shumë e çmuar, por në tërësi kjo situatë kam përshtypjen lexohet gabimisht nga një pjesë e njerëzve, që kujtojnë se iku kjo punë. Për këtë arsye nga duhet të garantojmë hapjen, të mbrojmë njerëzit, jetën dhe patjetër të lehtësojmë një proces që ka ndikuar në ekonominë familjare dhe kombëtare. Mendoj se është bërë gjëja e duhur. Kemi pasur një takim të gjatë por të dobishëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të adresuar këtë nevojë në kohë për të mos pasur pengesa apo zgjatje të natyrës procedurale, kemi diskutuar edhe me presidentin, jemi harmonizuar përmes ekspertëve të parlamentit dh të zyrës juridike të presidentit, dhe me grupet e tjera parlamentare, është arritur një përfundim që adreson shqetësime legjitime të shprehura nga faktorë të tjerë, dhe nevojën legjitime të këtij momenti", tha Rama.

Ora 14:22
Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Penal dhe projektligjet në rend dite, rrëzon dy dekretet e Metës

Kuvendi miraton të gjitha projektligjet në rendin e ditës, mes tyre ndryshimet në Kodin Penal si dhe rrëzon dy dekretet e Presidentit Meta për çështjen e pronave dhe ligjin antiKÇK. 

VOTIMI

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 2, datë 11.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2016 ”Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”,  i cili u miratua me 100 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, i cili u miratua  me 97 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim.

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 4, datë 16.03.2020 “Për disa shtesa në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”,  i cili u miratua me 98 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenim.

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 17.03.2020 “Për një shtesë në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19,  i cili u miratua me 99 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim.

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”, i cili u miratua me 100 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve””, i cili u miratua me 97 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 8, datë 24.03.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”,  i cili u miratua me 97 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushë e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID19””, i cili u miratua me 96 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim.

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 10, datë 26.03.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar””, i cili u miratua  me 94 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 11, datë 27.03.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar””, i cili u miratua  me 96 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 12, datë 2.4.2020 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar””, i cili u miratua me 98 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 13, datë 02.04.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i cili u miratua me 95 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenim.

Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar””, nismë e dy deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka. Në emër të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se këto ndryshime në Kodin Penal në momentin që po kalon vendi si pasojë e pandemisë COVID-19 janë tepër të domosdoshme. “Nuk janë një eksperiment shqiptar, ashtu sikurse u mundua dikush ta artikulojë sot, por janë padyshim një përshtatje në realitetin shqiptar të eksperiencave më të mira në shumë vende”, theksoi Balla, i cili teksa përmendi disa vende që kanë ashpërsuar masat penale për shkak të pandemisë, u ndal në mënyrë të veçantë tek Rumania, e cila ka miratuar së fundmi dënime shumë të ashpra. “Padyshim duhet kuptuar se këto ndryshime kanë në thelb të vetin mbrojtjen e jetës së njerëzve, vetëm ky është qëllimi i mirë për të gjithë këtë nismë”, u shpreh Balla.

Projektligji në fjalë, u miratua me 88 vota pro, 13 kundër dhe 1 abstenim.

Në rendin e ditës ishte projektligji “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, që u miratua me 90 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

Kuvendi shqyrtoi dhe dy dekretet e Presidentit të Republikës. Dekreti nr. 11.457, datë 26.03.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”” , u rrëzua me 7 vota pro, 89 kundër dhe 7 abstenim.

Ndërsa dekreti nr. 11.456, datë 26.03.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 1, datë 31.01.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, u rrëzua me 9 vota pro, 88 kundër dhe 5 abstenim.

Kuvendi shqyrtoi tre projektligje që lidhen për marrëveshjet IPA, më konkretisht: 

1)Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri - Kosovë, 2014-2020 alokimet e vitit 2018”’, i cili u miratua me 102 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim;

2)Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mal i Zi - Shqipëri, alokimet e vitit 2018”, që u miratua me 102 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim;

3)Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014 - 2020, alokimet për vitin 2018””, i cili u miratua me 100 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim.

Pjesë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit ”Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”” ngritur me vendimin nr. 84/2019 të Kuvendit””, i cili u miratua me 99 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim. 

I fundit në rendin e ditës ishte projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore” ngritur me vendimin nr. 102/2017 të Kuvendit, që u miratua me 102 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenim. 

Ora 14:21
Rama-Hajdarit për ndryshimet e Kodit Penal: Ti jeton në Hënë në kohë normale, jo më në kohë karantine

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetes Rudina Hajdari në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, duke thënë se ajo jeton në Hënë dhe nuk e kupton që këto vakuume në kod duhen martë tani pasi për këtë kohë pandemia po ndryshohen. Hajdari tha më herët se ajo është pro ndryshime por në një tjetër kohë dhe je me procedurë të përshpejtuar.

"Zonja Hjadari na drejtohet nga Hëna edhe në kushte normale, merreni me mend tani dhe në Hënë dhe në karantinë se sa lidhje me realitetin kanë fjalët e zonjës Hajdari. Se sa ajo mendon se sa pasoja mund të ketë për vendin tonë ky boshllëk në Kodin Penal në këtë kohë pandemia, këtë zonja Hajdari nuk na e thotë. Ky propozim është i mbështetur gjerësisht pavarësisht se nga Hëna ku banon zonja Hajdari nuk kemi një sinjal pozitiv. E përshëndes zonjën Hajdari për qëndrimin në Hënë dhe e sigurojë se ne do të vazhdojmë punën dhe do mbrojmë popullin shqiptar nga rreziqet që vijnë nga ky boshllëk që ne kemi në kodin tonë për këtë kohë", tha Rama.

Ora 14:17
Vetëm 1 votë kundër propozimeve të Metës, Ruçi: Presidenti i kënaqur për bashkëpunimin me Parlamentin

Me vetëm 1 votë kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me propozimet e bëra nga Presidenti Ilir Meta.

"Dje është zhvilluar një mbledhje e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një nga pikat ishin ndryshimet në Kod. Presidenti dhe Këshilli i Sigurisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat që asistuan në mbledhje, dhe unë në emër tuaj, e njoftova këtë mbledhje lidhur me adresimin e shqetësimeve të 14 institucioneve të shtetit shqiptar dhe 30 organizatave të shoqërisë civile, dhe presidenti në fund kërkoi nga ekzekutivi dhe nga mua si kryetar parlamenti ta njihja me përfundimet e arritura nga mbledhja e komisionit të ligjeve. Unë i vura në dispozicion produktin final të komisionit të ligjeve, me relacionin dhe adresimin e shqetësimeve. Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera", sqaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke hedhur në votim riformulimet në ndryshimin e Kodit Penal, sipas propozimeve të Presidentit Meta.

Ora 13:59
Kuvendi pranon propozimet e Metës për ndryshimet në Kodin Penal, Hajdari: I mirëpresim, por jo votim në gjendje të jashtëzakonshme

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se grupet parlamentare në Kuvend kanë pranuar propozimet e presidentit Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Penal.

Kështu, Balla tha se:  Në nenin 242, pika 1, gjatë gjendjes së epidemisë “mos zbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore, në funksion të gjendjes së epidemisë, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose deri në 2 vite burg.

Moszbatimi i urdhrit për karantimin ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim 2-3 vite.

Neni 89/b, “për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nga personi që është mbartës i sëmundjes apo personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim 2-5 vjet.

Kur kjo vepër bëhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose 2 vite burg.

Kur kjo vepër ka shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim 3-8 vite”, theksoi Balla.

Deputetja e opozitës Rudina Hajdari tha se i mirëpret këto përmirësime që janë bërë, por theksoi se nuk është momenti i duhur që në një kohë pandemie të ndryshohet Kodi Penal. Sipas saj, duhet më shumë kohë për reflektim që ndryshimet të mos bien ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.

"Propozimet e Presidentit, i mirëpresim këto përmirësime, në të njëjtën kohë, duhet në fakt të marrë përsipër të gjitha gabimet në draftin fillestar, se po ta shikosh është në kundërshtim me kushtetutën. Si e tillë zoti kryeministër përmendi që këto ndryshime nuk kanë për popullin por individin, por edhe individi ka të drejtat e tij. Në momentin që një person vazhdon fyen kushtetutën apo ligjet edhe pse për një qëllim të mirë, kuptohet që kjo do përdoret edhe për qëllime të këqija. Ju lutem duhet të shikoni sjelljen tuaj në lidhje me këto veprime se janë tipare të një kryeministri që përdor forcën e tij si kryeministër në momente të jashtëzakonshme për të keqpërdorur pushtetin e tij.  Mendojmë që ndryshimet e Kodit Penal nuk duhet të ndodhin gjatë një periudhe të jashtëzakonshme, duhet të kemi kohën e duhur, të reflektojmë, që të jenë të ligjshme dhe të zbatueshme. Duhet akoma më shumë kohë. E kuptojmë që ka vakum sa i përket pandemive, por momenti i tanishëm është i panevojshëm", tha Hajdari.

Ora 13:05
Përfundon seanca historike e parlamentit, deputetët hedhin fletën e votimit në kuti dhe largohen

1587036116_1587034978parlament.jpg

Deputetët që morën pjesë në seancë kanë votuar të gjitha nismat ligjore që ishin parashikuar në rendin e ditës dhe kanë hedhur fletën në kutinë e votimit. Votimi në këtë seancë të jashtëzakonshme dhe historike për nga lloji i saj është bërë me fletë për shkak të vendosjes së deputetëve dhe në llozhat e sipërme të sallës.

Pas votimit deputetët kanë dalë jashtë duke u larguar të gjithë një e nga një. Edhe në ambientet e jashtme të Kuvendit pjesa më e madhe e deputetëve e kanë respektuar distancën por ka pasur edhe disa që janë parë më afër se sa është e parashikuar në masat e qeverisë.

Ora 13:00
Rama: Javët në vijim fillon hapja...rriten ndëshkimet për shkelësit që mund të sjellin rimbylljen (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se qeveria po përgatit një protokoll sigurie për një hapje graduale në javët në vijim, por nën masa të rrepta sigurie që të mos kemi përhapje të pandemisë. Rama tha se ndryshimet në Kodin penal janë të domosdoshme vetëm për periudhën e pandemisë.

Rama tha se do të ketë disa lehtësime qoftë për qarkullimin e qytetarëve, qoftë për bizneset, por njëkohësisht do të rriten ndëshkimet për ata që do të shkelin masat kufizuese duke rrezikuar jetën e popullatës. Kreu i qeverisë tha se nëse do të ketë shkelje masive, mund të rikthehet sërish rimbyllja.

"Njerëzit mendojnë se kjo iku, është Edi Rama që nuk do që ne të shkojmë në punë. Krahas hapjes për popullin, duhet masat edhe për ata që kërcënojnë duke mos respektuar rregullat. Ne po përgatisim një plan të detajuar me protokolle sigurie për ata që do bëjnë biznes sipas niveleve të riskut, dhe ata që nuk i respektojnë, patjetër që do të dënohen. Në javët në vijim do të hapemi dhe do të shtrëngojmë masat për ata që nga hapja und të sjellin përmes shkeljeve, rimbylljen. Po abuzuan me hapjen ata nuk duhet të jenë 100 mijë veta, mjafton të jenë 100 veta na mbyllin prapë brenda, dhe atëherë as qese nuk ka më", tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri një apel edhe për politikën kur tha se në këtë luftë duhet të jenë të gjithë të bashkuar. Ai iu përgjigj edhe opozitës joparlamentare që hedh akuza për tenderët në këtë gjendje të fatkeqësisë natyrore, duke thënë se gjithçka është transparente, por situata e do të bëhen në mënyrë të përshpjetuar. Një përgjigje e pati edhe për Mylsim Murrizin i cili nga Kuvendi hodhi akuza pikërisht për tenderat, duke thënë se po zhvillohen në fshehtësi. 

"Dhe kjo gjë duhet parë e gjithë si një luftë e përbashkët. Nuk ka për të ndarë ne dhe ata. Se ky rrezik nuk pyet as sa i gjatë as sa socialist as sa demokrat e socialistë, as sa i zgjuar e budalla. Ky të kap e të mbërthen. Nuk duhet të ushqejnë popullin me helm e me mllef, me dëngla e me broçkulla. Nuk ka tender sekret këtu. Janë procedura të përshpejtuara siç i parashikon ligji. Në kohë lufte këto sjellje janë kriminale. Unë po ju bëj thirrje, mos bashkëpunoni me COVID-in votoni Kodin. Mos u bëni agjentë të COVID, mos votoni kundër duke bërë atë që COCVID pret, që të ketë hapësirë dhe të shkojë t'i hipë në kurriz atyre që shkelin rregullat dhe të transportojë bomba. Bombën ta hedh armiku nga lart, ndërsa këto i transporton ti që je një dënglaxhi që për fatkeqësinë e parlamentit ke mundësinë të marrësh fjalën edhe këtu", tha Rama.

Ora 12:45
Rama i përgjigjet Hajdarit: Nuk po dënoj popullin, por atë që shkel masat e na rrezikon të gjithëve

Kreu i qeverisë Edi Rama iu përgjigj deputetes Rudina Hajdari e cila tha se po i kërcënon shqiptarët me burg. Rama tha se ndryshimi në Kodin Penal bëhet për të ndëshkuar shkelësit që rrezikojnë dhe kërcënojnë shëndetin dhe jetën e popullit. Kreu i qeverisë tha shembuj shtetesh të tjera që kush nuk respekton masat ka dënime deri në 10 vjet, ndërkoë që Kodi Penal shqiptar nuk ka asnjë resht sipas tij për epideminë.

"Unë nuk e kuptoj çfarë lidhje ka një dënim me popullin, pse thoni populli dhe dënimi. Populli dhe gjoba. Pse? Gjobat dhe dënimet për popullin vihen? Si vihen për popullin? Populli është ai që shkel ligjin, populli shkon në burg, çfarë popull janë ata që shkelin ligjin? Kush shkel ligjin është individ nuk është popull. Dhe pikërisht për interesin e popullit, individi që shkel ligjin ndëshkohet. Në demokraci ndëshkimi i individit vjen si rezultat i kërcënimit që ai përfaqëson për popullin. Dhe meqë nuk doni. Unë nuk e di, s'ka mundësi që të mos e dini. Por nuk doni ta kuptoni, që në Kodin tonë Penal nuk ka asgjë për epideminë. Është i vetmi kod penal në Evropë që nuk ka asgjë. ka po, vetëm për kafshët. Si karantinohen kafshët. Danimarka, çfarë është diktaturë, 3 vjet për ata që shkel rregullat e vendosura, deri në  8 vjet për atë që përfiton nga shkelja e rregullave. Po themi, dikush që merr në qafë të tjerët se do të bëje biznes. Sllovenia, 3, 5 dhe 10 vjet burg. Meqë më kishte numëruar në karantinë zonja Hajdari 675 herë, nuk e kam thënë asnjëherë, po e them tani, dënim me burg. Italia e ka pasur dënim me vdekje, dhe kur u hoq në gjithë Evropën, e ktheu në burgim të përjetshëm. Këto masa janë vetëm për kohëzgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë nga epidemia, për javët dhe muajt në vijim, dhe aty mbaron, dhe janë nëse larg qoftë do ndodhë herë tjetër. Por të shikoni numrin e shkeljeve ka ardhur në rritje, sa më shumë garantohet sistemi shëndetësor sa më pak shtretër ka në spital, aq më shumë rriten shkeljet", tha Rama.

Ora 12:32
Riatdhesimi/ Rama: Karantina, jo dëshirë por detyrë! Deri tani s'kemi gabuar

Kryeministri Rama ka folur edhe për karantinimin e të riatdhesuarve ku tha se kjo nuk bëhet për çështje dëshire, por për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shmangur infektimet nga koronavirusi.

"Dëgjova që të riatdhesuarit ti çojmë të punojnë tokën, dëngla, pasi nuk kemi dëshirë për të shfrytëzuar njerëzit, por janë faktet që flasin se duhet të karantinohen. Këtu thuhet çoji të punojnë tokat, a thua ne e kemi me dëshirë që t'i karantinojmë dhe të mbulojmë 2/3 e akomodimit të tyre nga buxheti i shtetit. Falë gjithë punë ia kemi dalë dhe të mos bëjmë asnjë gabim, sigurisht se çdo gjë bëhet më mirë, por sot nuk kemi bërë asnjë gabim", tha Rama

Ora 12:32
Seancë në gjendje të jashtëzakonshme, pamje historike si qëndrojnë deputetët në radhë dhe u matet temperatura në hyrje

Situatë që nuk kishte ndodhur kurrë dhe pamje historike vijnë nga Kuvendi, me deputetë të 'armatosur' pas maskave dhe dorezave. Kjo është një situatë e re për të gjithë, ku deputetët po zhvillojnë një seancë plenare  në kushte të jashtëzakonshme të një pandemie që rrezikon shëndetin e të gjithëve. Për këtë masat e vendosura për deputetë kanë qesë strikte dhe të rrepta për të gjithë.

Të gjithë deputet e pranishëm në sallë kanë qëndruar në radhë me një distancë mbi 2 metra nga njëri-tjetri përpara se të hynin në godinën e Kuvendit. Gjithashtu para hyrjes çdo deputeti u është matur temperatura në dhe janë pajisur me maska, e doreza

Ora 12:28
Ndihmat humanitare/Rama: Shesin 'dëngla' ata që hanë e pinë, ata që marrin 'qesen' janë falenderues

Kryeministri Edi Rama ka adresuar edhe çështjen e ndihmave humanitare duke u drejtuar të gjitha atyre që e cilësojnë atë ndihëm 'si qese' që nuk ka asgjë brenda. Rama tha se të gjitha ata që shesin këto 'dëngla' janë ata që hanë e pinë, ndërsa personat në nevojë që marrin qesen janë falenderues.

Në lidhje me ndihmën monetare ndaj familjeve në nevojë, Rama bëri edhe krahasim me Francën dhe Italinë, duke treguar se si një vend si Shqipëria me kushtet e saj, nuk ka ndryshim të madh me vendet e fuqishme të prekura nga CVID-19.

"Po qe se flasin ata që hanë e pinë sot më shumë se dje se rrinë në shtëpi e s'bëjnë asnjë punë ankohen. Ndërkohë ata që marrin këto qese janë falenderues dhe mirënjohës. Këto janë dëngla të atyre që hanë e pinë dhe gjoja flasin në emër të atyre që janë në nevojë.  Dje ka dalë plani konkret, për familjet në asistencë sociale në Francë është 150 euro plus dhe Shqipëria ka dhënë në mbështetej të njerëzve në nevojë 4 % të prodhimit të brendshëm kombëtar. Franca ka akorduar 1500 euro plus për mjekët në zonat e kuqe dhe Shqipëria ka dhënë 1000 euro plus për mjekët dhe infermierët në vijën e rrezikut dhe  500 euro për sanitarët e shoferët. Nuk po bëjë krahasime po ju them se ato që lexoni në portale dhe dënglat që sillni këtu nuk kanë lidhje me realitetin. Kush është ajo qeveria që çon qese? Qeveria italiane jep tollona ushqimi në këto kushte, prandaj të mos harrojmë ku jemi, çfarë mundësish kemi kur zgjedhim të flasim. Po u përgjigjemi njerëzve më të gjitha çfarë kemi mundësi. Dënglat ushqejnë mllefin, pasiguritë në këtë situatë dhe nuk e di për çfarë e bëjnë saktësisht. Nuk e kam me ju këtu, por dhe juve u dëgjova disa dëngla" tha Rama.

Ora 12:13
Rama: Betejën me frotin e shëndetësisë po e fitojmë! S'mund të hedhim në lumë sa bëmë deri tani (Fitojmë edhe në frontin e ekonomisë)

Kreu i qeverisë e quan të fituar betejën shëndetësore kundër COVID-19, ndërsa sa i përket efekteve në ekonomi, Rama tha se edhe kjo sfidë do e nxjerrë vendin të fituar.

"Ne po e fitojmë betejën në frontin e shëndetësisë, dhe ne do ta fitojmë edhe betejën në frontin e ekonomisë, natyrisht me stres, sakrifica dhe durim, por do t'i fitojmë të dyja betejat. Nuk mund të lejojmë që për hir të pasojave në formën e stresit që krijon një situatë, ku nga njëra anë njerëzit nuk janë të tkurrur siç ishin në fillim nga shfaqja konkrete e rrezikut se nuk shikojnë fatmirësisht se vdesin dhjetëra në ditë, dhe nga ana tjetër ku njerëzit i japin fantazisë dhe ankesave një vrull të mirëkuptueshëm. Që t'i fitojmë të dyja betejat duhet të vazhdojmë të luftojmë. Është e kuptueshme që gjithë fokusi të spostohet drejt ekonomisë kur nuk ka lajme të zeza nga shëndetësia. Por nga ana tjetër, është e pafalshme për ne, që t'i nënshtrohemi këtij presioni që vjen nga nevojë dhe që artikulohet si nxitje për lirinë, demokracinë, për të drejtat e njeriut, për t'u hapur, të dalë, për të punuar, se do të ishte ekzaktësisht, të hidhnim në lumë gjithçka kemi bërë deri tani dhe t'i hapnim shtegun që deri tani nuk e ka gjetur pikërisht se kemi bërë këto gjëra", tha Rama.

Ora 12:12
Rama: Sa viktima do kishim nëse s'do merrnim masa!!! Asnjë vend në glob s'bëri më shumë se ne

Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë fjalës në Kuvend, tha se nëse nuk do të ishin marrë masa kufizuese në Shqipëri mund të kishte 18 mijë të vdekur, e nëse nuk do të ishin vënë të gjitha shërbimet e policisë dhe ushtrisë në terren që shqiptarët t'i respektonin ata, ku numër do të ishte 2800 viktima. Me fjalë të larta vlerësuese, kryeministri Rama tha se komiteti teknik i ekspertëve ka bërë punë të lavdërueshme, asgjë më pak e asgjë më shumë se sa kolegët ndërkobmëtarë.

"Është normale që sot, pas kësaj periudhe kaq dramatike për të gjithë, përderisa nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë e përderisa hyjmë në grupin e vendeve që bazuar në fakte e në shifra e kemi përballur më me efikasitet këtë luftë, të dëgjosh lloj–lloj dënglash, që faktikisht janë të mirëkuptueshme kur vijnë nga njerëz të zakonshëm, të cilët duke mos e përjetuar tragjedinë, përveçse nga ekranet e televizorëve në vendet jo shumë larg nesh, përjetojnë stresin, përjetojnë pasigurinë, përjetojnë ankthin e dëmit mbi ekonominë e tyre familjare, por është anormale që dënglat t’i dëgjosh nga njerëz që kanë mikrofonë përpara, kanë kamera përpara, kanë një zë që shkon përtej dhe në funksion të të gjithëve. Jo projeksionet tona, por projeksione të bëra nga ekspertë të pavarur, që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë e që janë publikuar në krye të herës në ekrane, flisnin për mundësinë potenciale që, nëse nuk do ishte marrë asnjë masë e jeta do kishte rrjedhur sikur asgjë nuk do kishte ndodhur, ne do kishim 18 mijë të vdekur. Ndërsa projeksionet tona, sikur masat të mos ishin imponuar e të mos ishin respektuar nga shumica dërmuese e shqiptarëve, flisnin për 2800 të vdekur. Ky është fakti. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë, vlerësohen edhe për atë që ndalojnë të ndodhë dhe nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme logjike që të mund të hedhë poshtë faktin se sot, Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm. Nuk ka!

Në kushtet e stresit, e mungesës së durimit apo të vullnetit për t'u informuar drejt nga burime zyrtare, vendase a të huaja, ka hapësirë edhe për teoritë e konstipacionit mbi një komplot të madh botëror për arsye nga më të ndryshmet që fantazia e shfrenuar edhe në kushtet e karantinës i gjen. Ne jemi këtu, jo vetëm, së bashku me gjithë botën, fatmirësisht në një fatkeqësi ku është përfshirë gjithë bota, se të ishte vetëm këtu kushedi çdo kishim dëgjuar. Edhe vendet më të ditura janë në konfuzion, edhe OBSH është shfaqur më shumë se një herë kontradiktore me vetveten", tha Rama.

Shefi i mazhorancës u shpreh se asnjë vend nuk ka bërë më shumë se sa Shqipëria.

"Asnjë vend në glob nuk ka bërë asgjë më shumë se sa kemi bërë ne, asnjë një gjë më shumë. Dhe jo rastësisht Shqipëria renditet mes vendeve me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera të madhësive të ndryshme, që nga SHBA deri tek Luksemburgu. Dhe fatmirësisht jemi gjendur në një situatë ku kemi pasur privilegjin t'i referohemi një ekspertize të nivelit më të lartë që e kemi këtu në Shqipëri, komitetit teknik të ekspertëve, që ka provuar se në këto kushte, dhe për këtë fushë, Shqipëria nuk ka kujt t'i ketë zile, fare askujt. Nuk kam mundur të lexoj asnjë ekspertë botëror të thotë ndonjë gjë të re ose të paditur për ekspertët tanë. Kjo luftë ka dy fronte. Frontin e përballjes në vijën e zjarrit, me armikun në trupin e njerëzve tanë, dhe frontin e betejës për mbijetesës sot dhe rimëkëmbjen nesër", tha Edi Rama.

Ora 11:53
Rama mbërrin në parlament...pa maskë

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Parlament, por ndryshe nga deputetët të "blindur" me maska e doreza, kreu i qeverisë nuk ishte i pajisur me maskë. 

Ora 11:42
Gjuzi: 'Nuk jam i dashuri yt!' Ruçi: Pusho se të nxjerr nga salla edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme

Deputeti Kujtim Gjuzi është përplasur gjatë seancës së sotme me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi në lidhje me ligjshmërinë e akteve normative të propozuara nga qeveria për ndryshime në Kodin Penal.

Teksa deputeti Kujtim Gjuzi ka folur nga vendi kundër akteve normative të qeverisë, duke e barazuar situatën me një diktaturë të vërtetë, Ruçi i ka kërkuar atij të mos flasë jashtë procedurës, duke i thënë se e nxjerr nga salla.

Kryeministri ka nxjerrë akte normative ka nxjerrë ushtrinë nga kazerma, ka shkelur kushtetutën, prej 44 ditësh vendi është në grusht shteti të Edi Ramës.

Nëse ju do të vazhdoni ti bëni kritike opozitës që ruajti 100 vjet parlamentin dhe nuk ishte dakord me ato që e braktisën parlamentin dhe kërkuan të shkelin shtetin, duke shkelur të gjithë normat që përban Kushtetuta e Shqipërisë, nuk mundet Televizioni Shqiptar të konsiderojë kryeministri këtë apo atë, kryetar.

Në këtë situatë mos na hiqni minutazhin jemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe pse nuk jemi realisht ashtu. E kemi mbledhur parlamentin edhe ne '97’”, tha Gjuzi.

Gramoz Ruçi: I dashur deputet mesa duket edhe ju flisni.
Kujtim Gjuzi: Nuk jam i dashuri yt
Gramoz Ruçi: Ma kërkon etika dhe njerzillëku. Nuk ke të drejtë të thuash se aktet normative janë në kundërshtim me kushtetutën. Nuk ke të drejtë të thuash se vakancën e krijuar nga situata e jashtëzakonshme, por duhet të punosh më shumë për të kuptuar se çfarë kanë bërë parlamentet e tjera në vendet më të zhvilluara. Përkundrazi mos spekulo dhe mos fol nga vendi se do të nxjerr jashtë dhe në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Ora 11:36
Ahmetaj: Ekonomia është ngadalësuar, po pret financim nga buxheti. 1500 të tjerë i shtohen pagesës së papunësisë

Ministri i Rindërtimit dhe përgjegjës për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19 Arben Ahmetaj ka deklaruar sot në parlament se ekonomia e vendit është ngadalësuar ndjeshëm dhe tashmë pret financim nga buxheti i shtetit. Ahmetaj ka theksuar se deri më tani pagesën e papunësisë e marrin 2700 persona dhe në muaj maj kësaj kategorie do t'i shtohen edhe 1500 të tjerë.

"Qeveria e ka kaluar momentin e të vetëpunësuarit pa pagesë dhe e ka konsideruar me pagesë dhe i ka garantuar 26 mijë lekë mijë familje në nevojë dhe të gjithëve iu është dyfishuar pagesa e ndihmës ekonomike gjë që e kalon ndihmën ekonomike mujore për të tre muaj në rreth 160 mijë lekë të vjetra.

Edhe për të papunët me pagesë papunësie dhe për ta është dyfishuar pagesa e papunësisë, janë rreth 2700 persona. Në zyrat e punës sot ka një fluks të rëndësishëm në rritje që aplikojnë për pagesën e papunësisë në bazë së ligjore, dhe në maj brenda grupit që për pagesë papunësie do të përfshihen edhe  1500 veta të tjerë.

Paketa e dytë do tju shërbej një numër të papunësh dhe qytetarë të punësuar dhe vetëpunësuar pasi edhe ekonomia është ngadalësuar dhe është kthyer si një qytetarë në pritje që të marrë mbështetje të buxhetit të shtetit.

Nuk mund të lej pa përmendur tek paketa e parë edhe instrumentin e garancisë sovrane që ju bën të mundur të gjitha sipërmarrjeve që të paraqiten në banka për kredi me risk zero ndërsa interesin e ka marrë buxheti i shtetit në paketën e dytë.

Situata është dinamike, paketa e dytë është 7 miliardë lekë dhe është fokusuar tek biznesi i madh dhe i vogël, dhe tek të papunët që kanë dal për shkak të situatës së krijuar ng koronavirusi. Të punësuar dhe të vetëpunësuar marrin 40 mijë lekë brenda paketës janë 66 mijë qytetar të tjerë të cilët për shkak të situatës kanë humbur punën", tha Ahmetaj.

Ora 11:25
Lleshaj: Kush nuk bindet dhe shkakton vdekjen me virus duhet të bëjë burg...Nuk duhet të luajmë me zjarrin

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj tha se pjesa dërrmuese e shqiptarëve i kanë mbështetur masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Por ata që devijojnë, sipas ministrit duhet të ndëshkohen penalisht, pasi nuk ka rëndësi mjeti, përsakohë edhe me një virus ata mund të shkaktojnë vdekjen.

"Pjesa dërrmuese e shqiptarëve i janë përgjigjur në mënyrë shembullore masave. Por devijimet duhet të shoqërohen me sanksione dhe ky është thelbi i ndryshimeve në Kodin Penal. Duhet të penalizohen, duhet të ketë një sanksion që i detyron të binden. Gjithë kjo dramë globale ka filluar nga një rast i vetëm para 4 muajsh që sot ka sjelle mbi 2 milionë njerëz të prekur në botë. Nuk mund t'ia lejojmë të luajmë me zjarrin ndërkohë që jemi në fazë inkurajuese për ta mbyllur këtë histori. Ata që janë të papërgjegjshëm duhet të paguajnë një çmim penal, ndryshimet fillojnë nga gjoba administrative, ngjiten tek dënimi me 1 vit burg, pastaj përshkallëzohen për arsye se ai që shkakton vdekje pavarësisht mjetit që e shkakton, duhet të paguajë për të. Nëse dikush vret me armë edhe nëse dikush vret me virus duhet të paguajë për këtë", tha ministri i Punëve të Brendshme gjatë fjalës në parlament.

Ora 11:15
Gjonaj: Ndryshimet në Kodin Penal plotësojnë vakuumin ligjor! Media të tregohet e përgjegjshme për lajmet COVID në burgje

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se ndryshmet në kodin e penal janë të nevojshme për të plotësuar vakuumin ligjor në raste pandemish dhe kjo nuk bëhet për të ndëshkuar qytetarët, por për të mbrojtur jetën e tyre. Gjithashtu ajo i bëri thirrje mediave që të tregohet e përgjegjshme për lajmet COVID që publikon për burgjet, pasi një lajm i rremë mund të sjellë dëme të pariparueshme në rendin dhe sigurinë e vendit por dhe të familjarëve dhe të burgosurve.

"Në menaxhimin e situatave të tilla duhen të ndërmerren nisma ligjore. Një situatë delikate ka qene situata në burgje. Miratuam aktin normativ për lirimin e përkohshëm të të burgosurve me rrezikshmëri të ulët për 3 muaj u bë për të mbrojtur jetën dhe përballuar krizën që sjell COVID-19. Lirimi i tyre ul mundësinë e mbipopullim të burgjeve dhe përballimit me stafin e situatës me stafin që kemi. Të liruari mbahen në vrojtim të vazhdueshëm, janë pezulluar, është pezulluar takimi me familjarët dhe marrja e masave të shtuar sigurie për këtë situatë për të ndaluar përhapjen e covid. Puna e çdo polici dhe gjitha strukturave vështirësohet kur lajmet e rreme përhapen nga mediat për raste COVID-19 në burgje. I bëj thirrje mediave të tregojnë përgjegjësinë pasi krijojnë panik tek të dënuarit dhe familjarët që sjell pasoja të pariparueshme për rendin dhe sigurinë. Propozimet për ndryshim në  kodin penal nuk kanë për qëllim ndëshkimin , por mbetjen e jetës së qytetareve gjatë pandemisë. Këto duhet të bëheshim më herët ashtu siç i kanë dhe vendet europiane. Për shkak të vakuumit ligjor në kodin penal lindi nevoja e propozimit dhe plotësimit të tyre. Këto iniciativa janë nënshkruar gjatë një procesi konsultimi me aktoret kryesor", tha Gjonaj

Ora 10:59
Hajdari: Rama të shpërndante çek për çdo shqiptarë mbi 18 vjeç, zerim të faturave të dritave e ujit...Burgu të hapet për pushtetarët!

Deputetja Rudina Hajdari tha se qeveria i ka lënë vetëm qytetarët në nevojë duke i shpërndarë pako ushqimore, kur në fakt sipas saj duhej të kishte bërë më shumë. Ajo thotë se qeveria do duhej t'i kishte shpërndarë qytetarëve shqiptarë mbi 18 vjeç nga një çek, të zeronte faturat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm dhe të mos kërcënonte qytetarët me burg por në këto momente të vështira edhe psikologjike, t'u fliste me fjalë pozitive. Burgjet sipas saj duhen hapur për pushtetarët.

Rudina Hajdari: Kryeministri thotë "Ti nuk do të jesh kurrë vetëm". Por ne si qytetarë ndihemi më vetëm se kurrë. Një familje në nevojë ka ndjerë efektet e menjëhershme të pandemisë se fëmijët në emigracion nuk janë në gjendje t'i japin ndihma.  Iu dha lëmoshë prej 26 mijë lekësh, ndërkohë që një familje që mbahej me një biznes i duhet të paguajë qiratë, dritat ujin, sigurimet shoqërore. Nuk i mbetet asgjë përvese të rrijë vetme  braktisur nga qeveria. Po ashtu edhe një familje e cila me pagat e bashkëshortëve që punojnë në një biznes të madh, sot janë pa punë. Nuk paguajnë dot asgjë, se gjendjen me këstin e shtëpisë së pashlyer apo detyrime të tjera që duhet t'i paguajnë. Këto kredi nuk po shtyhen se bankat nuk duan t'ia dinë se çfarë thotë kryeministri. Faturat e energjisë elektrike kanë ardhur më të kripura sesa kurrë. Kryeministri rrethohet nga lukse që harxhojnë energji sa 20 familje bashkë. Ka dhjetëra e mijëra familje që sot ndihen në nevojë dhe nuk kanë mundësi të ushqehen por i është ndërprerë edhe energjia elektrike. Asgjë nuk i kushton qeverisë të zeronte faturën e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm për familjet në nevojë. Por askush nuk mendoi për ta, se jetojnë në realitete komplet të ndryshme. Sot qytetarët duhej të kishin një çek në dorë për çdo shqiptarë mbi 18 vjeç dhe jo pako ushqimore.

Ne jemi një vend me më shumë potencial dhe duhet t'i vijmë në ndihmë qytetarëve. Një ndihmë e madhe sot duhet të jepet biznesit të vogël dhe të mesëm. Ndihma që jep qeveria me keqardhje nuk kalon as pragun e varfërisë. nëse do kishim një realitet ndryshe, ne qeveria, ky kuvend nuk do miratonte që paketa ushqimore të tenderohen nga një firmë maqedonase dhe të mos i jepet tregut shqiptarë dhe fermerëve shqiptarë që po falimentojmë. Ne nuk do vazhdonim të paguanim këstet e larta të koncesionit, si të sterilizimit që vazhdon i paguan qeveria, por do i ndalonte menjëherë.

Kryeministri iu kërcënon çdo ditë me burgosje. Ky është turpi më i madh që një i sëmurë që del jashtë të kërcënohet me burgosje. Ndërkohë që gjithë bota këshillon që qytetarëve duhet t'i jepen më shumë shpresë, fjalë të mira, pozitivitet, ky kryeministër për një javë ka përdorur fjalën burg 674 herë. Ka ardhur koha të fusim në burg pushtetarët që kanë abuzuar që i kanë zhvatur qytetarët nga pasuria kombëtare.

Ora 10:58
S'ka më kartonë, zbulohet mënyra se si do të votohet në parlament

Është zbuluar mënyra se si do të votohet në Parlamentin e Shqipërisë, sot kur po mbahet një seancë e pazakontë për shkak të koronavirusit. Ndryshe nga herët e tjera ku votohej me kartonë, tani gjithçka do mbahet shënim, në fletë të veçantë për ligje të veçante.

Për çdo nën do të jenë si gjithmonë tre alternativa, po, jo dhe abstenim. Pas votimit fletët më pas do të duhet të futen në një kuti.

 

 

Ora 10:37
Manastirliu: Ndryshimet në Kodin Penal dhe aktet normative të nevojshme për të mbrojtur jetën

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu  bëri  një vlerësim të gjithë punës së bërë derri tani nga ekspertët shëndetësor, personeli mjekësor dhe masat e marra deri në këto çaste. Në mënyrë që të mbrohet jeta e qytetarëve, Manastirliu tha se janë të domosdoshme miratimi i akteve normative dhe ndryshime në Kodin penal pasi vetëm me disponimin e plotë ligjor mund të luftojnë me këtë armik të padukshëm dhe të mbrojtjmë jetën e qytetarëve nga COVID-19.  Ministrja tha se vendi po e përballon më së mirë këtë situatë, ku në të dy spitalet COVID është zënë vetëm 14 % e kapacitetit të tyre, dhe falë masave u bë shmangia e kolapsit të sistemit shëndetësor.

"Nesër bëhen 40 ditë që Shqipëria po përballet më këtë armik të padukshëm. Vendimet e marra në kohën e duhura nga kryeministri Rama dhe qeveria shmangën kolapsin e sistemit shëndetësor. në këtë luftë shembull ka qenë rezistenca e shumicës së qytetarëve për të mbrojtur veten dhe respektuar masat, por dhe puna e heronjve të vërtetë që janë në vijën e parë të fronit të luftës të përkushtuar çdo ditë dhe çdo ditë. Prej 5 ditësh fatmirësisht numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të infektuarve aktivë, por ende jemi në luftë. kemi arritur të sheshojmë kurbën epidemiologjike duke gjurmuar çdo rast. Në Shkodër , Fier, Elbasan dhe Tiranë por dhe në të gjithë vendin po punohet pa ndaluar në terren. Sfidë e dytë është rihapja e kujdesshëm dhe për të kompletuar këtë strategji duhet të disponojmë të gjithë instrumentet ligjore. ndryshimet në kodin penal dhe aktet normative lidhur me situatë  e epidemive na vendosin në një linjë me vendet e tjera por dhe të kalojmë fazën e tranzicionit. Gjithçka po bëhet për të mbrojtur jetën  dhe sipas dëmit duhet të jetë dhe ndëshkimi për ata që cenojnë jetën edhe shëndetin e të tjerëve.Ndryshimet që po propozojmë në Ligjin e Sëmundjeve Infektive, e në ndryshimet në Kodin Penal e që lidhen me situatën e epidemive, jo vetëm që na vendosin në një linjë me vendet e tjera, që këto dispozita i kanë patur të parashikuara, por mbi të gjitha nëse duam të kalojmë në fazën e tranzicionit të bashkëjetuarit më këtë Virus, do të duhet të kemi të gjitha armët për ta luftuar atë. Ndaj rritja e përgjegjësisë individuale, e ndërgjegjes qytetare është esenciale me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit publik. Sipas dëmit duhet të jetë dhe ndëshkimi, për këdo që cenon lirinë dhe jetën", tha Manastirliu.

Ora 10:32
Murrizi kundër ndryshimit të Kodit Penal: Janë arna në interes të mazhorancës, po na kufizoni kohën e fjalës pa të drejtë

Deputeti i opozitës Myslim Murrizi është shprehur i revoltuar në lidhje me ndryshimet ne Kodin Penal duke thënë se kjo është në shkelje të Kushtetutës, por dhe me kohën e kufizuar të fjalës së deputetëve për të gjitha çështjet që do të diskutohen gjatë seancës së sotme. Murrizi tha se ndryshimet në Kodin Penal janë arna në interes të mazhorancës, ndërsa shtoi se mund të pranohet koha e kufizuar për një çështje dhe jo për të gjitha, ndërkohë që koha duhej të ndahej sipas tij për pozitën dhe opozitën dhe jo e barabartë për çdo deputet kur pozita ka shumicën e tyre dhe kohën më të madhe për të diskutuar.

"Rregullorja e rendit të ditës me rregull duhet të shpallet 48 orë para seancës dhe në fakt është bërë dje në orën 1 të drekës. Gjithashtu të gjitha projektet ligjet nuk mund të sillen pa u konsultuar për dy javë. Ata kanë ardhur pa asnjë lloj afati të mbështetur në rregullore. Kushtetuta e ka të përjashtuar kategorikisht  që këto nene të ndryshohen për kodin penal edhe në gjendjen e jashtëzakonshme me procedurë të përshpejtuar. Ky Kod Penla arnohet vetëm që të vijë në anën e tij. Limiti kohor për disa çështje, por jo për të gjitha çështjet. Nëse për një çështje do të vendoset afat kohor do të isha dakord por për 23 pika të vendoset afat kohor është e papranueshme. Koha duhet të ndahet për pozitën dhe opozitën. Nëse vazhdohet kështu atëherë parlamenti do të kthehet në kohën e Haxhi Lleshit ku vihet vetëm për të duartrokitur", tha Murrizi.

Ora 10:31
Debate të forta mes Ralf Gjonit dhe grave të PS-së, Ruçi: Me neveri them që gabove rëndë...Deputeti: Kërkoj ndjesë, unë nuk fyej askënd

Deputeti Ralf Gjoni kërkoi që të hiqet nga rendi i ditës amendamenti i deputetes Bode për ndryshime në Kodin Penal duke thënë se ndryshimet nuk janë diskutuar dhe opozita e re nuk është njohur me të sa duhet. Gjoni tha se këto ndryshime duhet të bëhen me konsultim publik. Fjala e tij ngjalli debat në radhët e deputeteve të Partisë Socialiste pas një shprehje të Gjonit ndaj deputetes Bode se ajo është fjalëpakë dhe e urtë.

Në përgjigje të këtij debati, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi sqaroi se amendimi është disktuar për mbi 5 orë në Komisionin e Ligjeve ku dhe vetë deputeti Gjoni ka qenë prezent.

Ralf Gjoni: Unë kam marrë pjesë në mbledhje e komisionit të ligjeve dy ditët e fundit. Së fundmi u diskutua futja e amendamentit të fundit të Kodit Penale. Amendamenti  i zonjës Bode nuk ka lidhje me propozimet e zonjave Gjermeni dhe Bushka, në janar. Në janar propozimet lidhen me dhunën në familje, që unë personalisht i mbështes. Por futja vjedhurazi e një amendamenti duke keqpërdorur një deputetë mjeke që është nga më të urtat në parlamentin shqiptar, nga më korrektet një nga njerëzit më me integritet, keqpërdorimi i një zonje të nderuar në këtë parlament për të ndryshuar kodin penal për t'i trajtuar qytetarët shqiptarë si kriminelë pa konsultim publik...

Ruci i heq fjalën pas debateve dhe ndërhyrjeve nga zonjat deputete të PS-së.

Ralf Gjoni: Në mbyllje, zoti kryetar amendamenti i zonjës Bode për të amenduar kodin penal në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit...është i papranueshëm në këto kushte dhe mënyrën si është prezantuar vjedhurazi në komisionin e ligjeve. I bëj kërkesë mazhorancës të kërkojë minimumin e dinjitetin dhe ta tërheqë amendamentit për të mos u diskutuar në këtë seancë. Na jepni shansin që si opozitë të mbështesim amendamentet e zonjave të nderuara për dhunën në familje.

Deputetët e PS: Kërko falje..

Gramoz Ruçi: Me neveri mund të them që gabuar rëndë kur iu adresuat nismëtares e cila vlen të respektohet, dhe aq më pak, s'ka vend që të anatemohet me ato shprehje që thatë, ndaj kërkoj t'i tërhiqni ato që thatë. Amendimet janë bërë në datën 8 prill me një nismë që është depozituar më 10 janar, kështu që është brenda të gjitha rregullave. Diskutimi është bërë në komisionin e Ligjeve 5 orë e gjysmë ku ju keni qenë pjesëmarrës, kështu që nuk ka vend.

Ralf Gjoni merr sërish fjalën: Unë për koleget gra dhe për kolegët burra kam shumë respekt. Ju kërkoj ndjesë nëse fjala ime "keqpërdorim" është keqinterpretuar. Unë nuk e kam zakon të fyejë këdo, por fjalën keqpërdorim e kisha për faktin se i është kërkuar një deputeteje të bëjë një amendim në Kodin Penal ndërkohë që duhet të vinte nga institucionet përkatëse dhe me një diskutim më të gjerë.

Gramoz Ruçi: Të përshëndes për tërheqjen e fjalës.

 

Ora 10:18
Ruçi: Ndërtojmë 'diga mbrojtëse' nga pandemitë! Shqipëria do dalë vendi më i sigurt në planet, politika për 'thithjen' e investitorëve

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se mjekët janë heronj ndaj të cilëve falenderimet e sinqerta nuk duhet të jenë vetëm me fjalë, por me vepra mbështetëse ndaj tyre. Kreu i Kuvendit i bëri thirrje deputetëve të nisin punën nëpër komisionet parlamentare për nisma konkrete në mbështetje të sistemit të shëndetësisë.

"Shqipëria është një vend i vogël dhe jemi aq modest sa të mos i japim mend njerëzimit dhe as t’u imponohemi fuqive dhe ekonomive të mëdha të globit. Por disa mësime nga pandemia, me të cilën jemi ende në luftë, për vete duhet t’i nxjerrim.

Ja cilat janë disa prej tyre:

E para, jetën dhe shëndetin duhet t’i përkushtohemi më shumë dhe të mos i marrim si të mirëqena. Jeta na është dhënë për ta gëzuar dhe saj duhet t’i shërbejmë me veprimin e qytetarëve dhe investimin e shoqërisë. Prandaj shëndetësia duhet të përbëjë më shumë se deri tani, një prioritet të qeverisjes dhe investimit tonë politik e kombëtar.

E dyta, shoqëria, forcat politike, Kuvendi, Qeveria e institucionet duhet të korrigjojmë disa prioritete të zhvillimit, mënyrën sesi e konceptojmë dhe e zhvillojmë raportin midis rritjes ekonomike dhe shëndetit. Politikat tona duhet ta bëjnë të qartë se shëndeti i popullsisë është qëllimi madhor i rritjes ekonomike dhe jo një ushqyes dhe në shërbim të saj. Të zhvillojmë ekonominë për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe jo të vemë shëndetin në funksion të rritjes.

E treta, brenda sistemit shëndetësor, duhet të korrigjojmë disa prioritete. Shëndeti publik dhe mbrojtja nga epidemitë duhet të mbështeten me më shumë  burime, kujdes dhe investime shtetërore. Shëndeti publik duhet të jetë përparësi absolute dhe jo një aneks i politikave tona shëndetësore. Sa më shumë të investojmë në shëndetin publik, aq më pak do të na kërkohet të investojmë për shërbimet e tjera mjekësore e spitalore. Fuqizimi i shëndetit publik e atij parësor dhe parandalimi i epidemive duhet të jenë elemente thelbësorë të racionalizimit të sistemit shëndetësor dhe atij spitalor. Kjo kërkon ndërgjëgjësimim më të madh të publikut e qytetarëve, mobilizimin e burimeve më të mëdha financiare dhe parapërgatitje efikase kundër epidemive.

E katërta, kjo situatë duhet të na udhëheqë drejt ripërcaktimit të statusit të mjekëve, infermierëve e profesionistëve të shëndetit. Si të gjithë ju, edhe unë kam përjetuar me emocione atë që pa frikë mund ta quaj heroizëm të punonjësve të mjekësisë dhe jam ndier i detyruar e borxhlli për atë që duhej të kishim bërë për ta. Ne e kemi për detyrë që vlerësimi ynë për për forcën e punës në mjekësi të mos mbetet në kufijtë e një faleminderit, sado e sinqertë qoftë ajo, por të konkretizohet në më shumë investime për shëndetësinë dhe më shumë incentiva financiare për ta.

E pesta, kjo situatë ka shtruar emergjencën e përmirësimit të edukatës shëndetësore, epidemiologjike e parandaluese të popullsisë. Kundër epidemisë, secili duhet të bëhet mjek i vetvetes. Por detyra jonë është të krijojmë kushtet dhe hartojmë programet shkollorë që çdo qytetar të bëhet i tillë. Ashtu si shtruam nevojën e edukimit anti-sizmik pas tërmetit të 26 nëntorit.

E gjashta, situatën pas kësaj pandemie globale mund ta shndërrojmë në një oportunitet kombëtar. Shanset janë që të dalim nga kjo pandemi si një ndër vendet e sigurta  të planetit. Kjo mund të sjellë një qasje të re të vendeve të zhvilluara për të investuar në Shqipëri dhe ne duhet të mendojmë për politika agresive për tërheqjen e këtyre investimeve.

Këto mendime si edhe propozimet tuaja ju ftoj të bëhen objekt reflektimi i punës së komisioneve dhe të “përkthehen” në akte ligjore apo përmirësime të tyre. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë disa “diga mbrojtëse” të shëndetit të popullatës nga epidemitë e rreziqet e natyrave të ndryshme. tha Ruçi.

Ora 10:17
Ruçi: E rrallë që një vend të kalojë dy fatkeqësi natyrore brenda një viti! Masat mbrojtëse rezultuan të suksesshme

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mbajti një fjalë hyrëse në çelje të seancës të jashtëzakonshme të Kuvendit që për herë të parë u mbajt në respekt të masave mbrojtëse të distancimit social. Ruçi tha se Shqipëria si rrallë ndonjë vend pësoi dy goditje të mëdha, dy fatkeqësi natyrore, tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë koronavirus. Kryeparlamentari shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve, dhe uroi shërim të shpejtë për të prekurit, mes të cilëve edhe deputetin Adriatik Alimadhi. Ruçi tha se Shqipëria falë masave drastike kufizuese mundi ta përballojë me sukses këtë situatë të rëndë.

"Kuvendi i Shqipërisë është në përmbushje të detyrës në këto rrethana të jashtëzakonshme në kushtet e një lufte me një armik të padukshëm për syrin njerëzor por tepër të rrezikshëm për jetën e njerëzve në gjithë globit. Pa u mbyllur gjendja e jashtëzakonshme e tërmetit të 26 nëntorit, hyjmë në një tjetër gjendje. Rrallë ndodh që një vend brenda një vitit të përballojë dy gjendje të jashtëzakonshme. Fakti që jemi në rrugën e duhur për ti fituar këto beteja tregon se pavarësisht krizave, shqiptarët kanë ruajtur fuqinë e tyre të mbijetesës. Edhe pse situata ishte e rëndë dhe me kufizime drastike, kuvendi ka vazhduar punën në format e imponuara nga kjo pandemi. Deputetët kanë kontribuar në plotësimin e nevojave jetësore bazike. Konferenca, byroja, komisionet kanë funksionuar me formatin elektronik. Kanë qenë në punë pa ndërprerje. I shpreh ngushëllimet familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur, dhe të prekurve që po vijoj në betejën së bashku me ta dhe kolegu Alimadhi, uroj të shërohen sa më shpejtë. Mirënjohje për mjekët, veçanërisht infeksionistët që janë në vijën e parë të betejës dhe po shpëtojnë qindra jetë shqiptarësh. Kombin nuk do të harrojë vetëmohimin e 30 mjekëve që shkuan pranë kolegëve në Itali. Mirënjohje për policinë, po kështu edhe gazetarëve dhe kameramanët të terrenit që janë të kudondodhur në çdo beteje. Qytetarët po ashtu, të moshuarit veçanërisht meritojnë mirënjohjen tonë të veçantë. I bëjmë thirrje të vazhdojnë të rezistojnë për të dalë të fituar dhe me sa më pak humbje jetësh nga kjo pandemi. Do të falenderoja deputetët që mirëkuptuan vendimin për përgjysmim page për 3 muaj. Dhe përfaqësuesit e 22 institucioneve të pavarura, dhe do të inkurajoja që 8 institucione që nuk janë përgjigjur akoma, t'i përgjigjeshin asaj. Kuvendi vlerëson punën e Komitetit, të qeverisë, të kryeministrit, që morën masa radikale mbrojtëse që rezultuan tepër të suksesshme. Sa më drastike të jenë masat dhe sa më të vetëdijshëm të jenë qytetarët aq më shpejt do të fitojë jeta përballë rrezikut që na kanoset. Pandemia e koronavirusit tregoi se globalizimi është një proces kontradiktor, progresiv për nga të mirat që krijon për njerëzimin, por edhe me rreziqe shumë reale. Kjo pandemi po tregon se njerëzimi është mrekulluar nga avantazhet por njëherësh ka nënvlerësuar rreziqet. Të gjitha vendet u gjendën të papërgatitura dhe pa masat e duhura mbrojtëse për të përballuar këtë pandemi", tha Ruçi.

Ora 10:01
Djali u shërua nga COVID-19, deputetja merr pjesë në seancën parlamentare

Deputetja Antoneta Dhima do të jetë prezente në seancën parlamentare të sotme dhe do të jetë ulur në pjesë e sipërmes të sallës.

Më parë djali i saj rezultoi i infektuar me COVID-19, por që fatmirësisht u shërua duke dalë fitimtarë nga kjo betejë.

Ora 09:52
Deputetët ruajnë distancën në sallë, ja si janë ulur

Në sallën e Kuvendit është ruajtur distanca me deputetëve duke qëndruar 1.5 metra ose me shumë larg njëri-tjetrit. Vendosja është bërë një po një jo në karriget e parlamentit për të ruajtur distancën.

Në sallë janë 80 deputetë, ministra dhe kryeministri, të cilët do të ulen në vendet e përcaktuara nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. 10 ministra do ulen në llozhat lart, ndërsa 6 poshtë. Kurse, 30 deputetë do të jenë të pozicionuar në llozhat lart dhe 34 poshtë.

Ora 09:51
Deputetët në radhë për të matur temperaturën

Deputetë janë duke mbajtur radhë për të matur  temperaturën , dezinfektuar dhe vendosjen e masave dhe dorezave përpara e të hyjnë në sallën e parlamentit ku pritet të nis dhe seanca.

 

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • TA RAS LALA: 16/04/2020 13:17

    Si Edi si kryekrimineli malok muti qelbur salhe jan njësoi të dy krahët kti populli po i mëshojn e mir ja bojn kur kta popull debil kta votojn.

    Përgjigju
  • Alb: 16/04/2020 12:12

    Po mir kur ju nuk realizoni teste as per 5% te popullsis ca burgu se shumica skan si e din jan me virus apo jo edhe administratat tuaja kan 4 dit kan filluar pun me staf te plot mos ndoshta drejtuesit e ketyre duhet te ishin te paret ne burg.

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 16/04/2020 11:04

    Foli dhe vajza e azem hajdarit per pushtetaret dhe te korruptuarit. Kujdes motra se mamin e ke te paren ne burg pa le te ishte babi gjalle. Na bejn edhe si te ndershem pale

    Përgjigju
    • Mese e Drejte ..: 16/04/2020 13:09

      Hopa ne Foto kae dalur ,dikur edhe Kadafi apo te tjere ,me Personalitete te. Amerikaneve. Nuk do te thote se Reklama e Foto e do jeshe apo je Ajo qe vulose gjerat .E gjithe Botta ka mare masa,jo per te Denuar njerezit ,,por ne Shqiperi vetem te Tilla Ligje mbrojne jeten e Qytetareve ..ndryshe Si Bagetite ,,nuk marin veshe ..Koke forte Si dikur Babai i juaj per Rahmet Paste ...

  • Faisbe: 16/04/2020 09:44

    O z Ruçi,thirr edhe liken e floririt qe e propozove e zgjodhe president se eshte seance e jashtzakobeshme dhe do ti jepni pike njeri tjetrit per te vazhduar te qendroni ne pushtet.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka