Laboratori i drogës në Fier/ Me shapka shtëpie e pranga në duar mbërrijnë te gjykata nënë e bir

3 Maj 2020, 10:20

FIER- Me shapka shtëpie, kokën ulur dhe pranga në duar, kanë dalë përpara gjykatës ditën e sotme dy anëtarët e familjes Kapaj, të cilët kishin kthyer shtëpinë e tyre ne laborator droge.

Qamile Kapaj (nëna) 48-vjeç dhe Anxhelo Kapaj (i biri) 22 vjeç do të njohen ditën e sotme me masën e sigurisë, e ndërsa kryefamiljari, Aleksandër Kapaj dhe bashkëpunëtori i tij një 33-vjeçar nga Kosova me inicialet F.B. vijojnë të jenë në kërkim.

Laboratori i drogës u zbulua 2 ditë më parë në Mbrostar të Fierit. Burime zyrtare bënë me dije familja Kapaj kishin përshtatur banesën e tij me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike, ku kishin mbjellë 312 fidanë kanabis.

"Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë  të dyshuar Kanabis, të kultivuara, pajisjet të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi, gërshërë etj", njoftoi më herët policia.