Laboratori i kokainës në Fier/ Në pritje të letërposorisë nga Kolumbia, zgjaten me 3 muaj hetimet! U sollën 430 kg kokainë e perzier me pleh kimik

9 Gusht 2023, 14:45

Thasët me pleh kimik erdhën nga Kolumbia në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Frakullën e Fierit. Por, informacionet e SPAK dhe policisë ishin se brenda tyre ishin përzyer jo pak, por rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë.

Operacioni u zbërthye orët e mbrëmjes së 24 nëntorit të 2022 dhe në pranga ranë 10 persona, në mesin e tyre edhe Viktor Cervanaku, ish-kryetar i komunës Frakull, dhe 5 të tjerë në kërkim.

Tashmë kur po bëhen 9 muaj nga zbulimi i sasisë së madhe të kokainës, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme zgjatje me 3 muaj të afateve të hetimit, me pretendimin se është në pritje të letërporosive të nisura në drejtim të Kolumbisë, përgjigjet e të cilave akoma nuk kanë mbërritur.

SPAK u ka kërkuar autoriteteve kolumbiane informacione më të detajuara të nisjes së sasisë së madhe të drogës. Kërkesa u mor parasysh nga gjykata, e cila vendosi zgjatje të hetimeve edhe më 3 muaj.