Lajmi i mirë/ Bota izolohet, Shqipëria fiton cmimin e parë

22 Prill 2020, 19:52

Në një situatë pandemie, ku gjithçka është paralizuar dhe ku pjesa më e madhe e botës është karantinuar, regjisoria shqiptare, Suela Bako, ka “rrëmbyer” çmimin e parë në festivalin e filmit në Qipro. Festivali i Filmit në Qipro, ndryshe nga shumë aktivitete të tjera që janë pezulluar, është mbajtur në datat 9-11 prill të këtij viti. Ndryshe nga vitet e tjera, festivali u realizua virtualisht nëpërmjet video-koferencave. Gjithë pjesëmarrësit, që kishin aplikuar nga e gjithë bota, janë prezantuar online si dhe cmimet janë dhënë po online. Në një lidhje skype regjisorja e filmit, Suela Bako, na tregoi për këtë ekseriencë të re dhe fitoren e projektit filmik “The Three of Us”. “Festivali i filmit në Qipro u mbajt në datat 9-11 prill. Ishte programuar për të marrë pjesë atje, por nga kushtet të cilat dihen tashmë u realizua virtualisht. Megjithëse funksionoi në mënyrë të shkëlqyer, pasi pati mbi 60 pjesmarrës nga shumë vende të ndryshme dhe kishte rreth 45 vetë që dëgjonin. Kjo është eksperienca jonë e parë dhe ishte një provë e të ardhmes kinematografike, pasi kështu do të realizohen të gjitha takimet në Europë apo dhe më gjerë, për këtë periudhë që nuk dihet sesa do të zgjasë.“- u shpreh Suela Bako.Figura e gruas shqiptare është në qendër të këtij skenari, i cili do të konkretizohet në shtatorin e vitit tjetër.“Bën fjalë për një grua 35-vjeçare të papunë, e cila jeton në kaosin e Tiranës së sotme para karantinës. Sonit, personazhit kryesor i duhet të përballet me disa peripeci pasi në ditën kur xhaxhai i saj do të varroset, ajo duhet të gjejë edhe paratë për të shlyer një borxh, që nuk e dinte se ka ekzistuar. Nëse gjërat ecin si ne e kemi parashikuar, xhirimet e filmit do të fillojnë në shtator të vitit që vjen. Jemi në tentativa për bashkëpunues të tjerë, interesi i të cilëve ka ardhur pas festivalit të filmit në Qipro”- tregoi regjisorja e filmit.Në lidhje me përditshmërinë e saj dhe se si po i kalon këto ditë karantinimi, Suela Bako, shprehet se impenjimet e saj profesionale e kanë ndihmuar për t’u shkëputur sadopak nga ky realitet absurd që ka përfshirë të gjithë botën.“Ky impenjim profesional më ka shkëputur pak nga realiteti absurd në të cilën ndodhemi. Më ka ndihmuar që të ndihem gjallë. Padyshim jam pjesë e një regjimi të ri ditor dhe më ka ndryshuar dita. Fëmijët kanë filluar të pikturojnë nëpër muret e shtëpisë, ndërsa bashkëshorti po merret me arkivat letrare, gazetareske, etj.”- u shpreh Bako.