Lamtumirë Koço Devoles, artistët: E kërcënuan me jetë por vdiq në një shtëpi me qira në vendin e tij

10 Nëntor 2020, 18:08

TIRANË- Miqtë, kolegët dhe familjarët, që për vite dhe ditë të tëra i qëndruan pranë në momente të vështira për shkak COVID-19, por edhe të leucemisë, sëmundje që e kishte prekur prej tre vitesh i dhanë sot lamtumirën e fundit  mes duartrokitjeve në një ceremoni private mjeshtrit të humorit Koço Devole.

Artisti u shua ditën e diel në moshën 75-vjeçare, por kontributin e tij në artin shqiptar, përmes karikaturës, skenarëve të koncerteve të fundvitit, regjisurës dhe karaktereve të pashlyeshme tek “Stillo”, Gjuetia e fundit, Deputeti, e deri tek roli i fundit tek “Dy gisht mjaltë” e  kujtojnë artistët që patën fatin të luajnë përkrah tij në skenë, pa harruar edhe kërcënimet që ka marrë përmes këtyre realizimeve skenike

Ka lënë pas shumë gjëra të bukura, praninë e tij do ta kujtojnë njerëzit për vite të tëra. Të gjithë rolet që kemi pas bashkë, kanë qenë shumë të bukur. Humbën shumë. Ai nuk u ankua asnjëherë. Politika jonë i ka gati fjalimet kur vdes, më parë s’të pyet njeri nëse ke ndonjë hall”, shprehet aktori Xhevair Zeneli.

“Është një dhimbje njerëzore, jo vetëm profesionale. Për një njeri si Koço Devole dhimbja shumëfishohet, aktor pajoni i papërsëritshëm, do vite që të lind sërish në Shqipëri. Ishte një Çaplin për formimin e tij në artin e humorit, se ishte një skenarist, aktor, balerin dhe pantonimistë. Këto cilësi i ka pas vetëm Charli Caplin”, thotë Llakaj.
 

“Të gjithë veprat e tij janë në bashkëpunim me RTSH. Kemi punuar bashkë koncertet e fundvitit, herë me gaz dhe herë pa gaz. Pastaj i’u rikthye skenës si skenarit edhe regjisor. Ai ishte edhe aktor, performonte deri në një moment që pati një performance që nuk ndikoi për mirë tek disa njerëz, të cilët e kërcënuan dhe iku në Amerikë. Por ai u rikthye sërish dhe ka lënë shumë vepra në skenën e estradës. E donte vendin, ishte një paket artistike, që rrallë se i vjen vendit”, kujton regjisori Osman Mula.