Lanë Dritan Dajtin të shkonte te okulisti në Bllok/ Furtunë shkarkimesh në strukturat drejtuese të burgut Peqin! Lirohet nga detyra dhe mjeku

14 Janar 2020, 15:47 | Përditesimi i fundit: 2020-01-14 17:39:04

TIRANE- Vizita tek okulisti i Dritan Dajtit, të dënuarit me 25 vite burg për vrasjen e katër policëve ngjarje e ndodhur në vitin 2009 tek zona e Freskut, i ka kushtuar postin drejtorit të Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorit të IEVP-së Peqin Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici.

Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i të IEVP Peqin, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Urdhri për këto masa të rrepta ndëshkuese është firmosur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie.