Deputeti i LSI-së, Lefter Koka, ashtu sikur njoftoi edhe Shqiptarja.com mbrëmjen e djeshme (lexo këtu) ka dalë zyrtarisht kundër vendimit të partisë së tij për djegien e mandateve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koka konfirmon se nuk do u bashkohet deputetëve të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe atyre të Partisë Demokratike për të djegur mandatet. Ai thotë se vendimi për djegien e mandateve nuk është i LSI-së, por i Saliut.
"Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI-në, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave që unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë" deklaron ai. Deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2017 e mbyll reagimin duke thënë se 'mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar'.
Lefter Koka është deputeti i parë që ka dalë kundër vendimit të opozitës për të djegur mandatet. Dje, PD dhe LSI-ja zyrtarizuan në mbledhjet e grupeve respektive vendimin per djegien e mandateve si rrugën e vetme që u ka mbetur përballë kësaj shumice. Dje, Monika Kryemadhi deklaronte se të gjithë deputetët e LSI do të digjnin mandatet, por Koka ka dalë nga rreshtimi duke u pozicionuar kundër, ndërsa mbetet për t'u parë nëse do të ndiqet nga të tjerë deputetë brenda kësaj force politike, apo nga opozita në tërësi.
Deklarata e plote e Lefter Kokes
Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit. Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkëudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi.
Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.
Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.
Thellësisht mirënjohës për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin tuaj!