Lezhë/ Plagosi me pushkë Hilë Gjinin, gjykata lë në burg Gjergji Gjinin: Kemi patur konflikte të vazhdueshme

4 Dhjetor 2020, 10:06 | Përditesimi i fundit: 2020-12-04 15:51:01

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Gjergj Gjinin, autorin e plagosjes së 43-vjeçarit Hilë Gjini, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së martës në Balldre të Lezhës.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura 69-vjeçari mësohet të ketë thënë se ka patur konflikte të vazhdueshme me Hilë Gjinin, por i kishte zënë pritë për ta trembur, pa patur qëllim që të qëllonte me armë ndaj tij.

Ndërsa avokati i 69-vjeçarit Petrit Mhilli kërkoi një masë më të butë ndaj klientit të tij me pretendimin se ka probleme shëndetësore me zemrën.

Por kërkesa e palës mbrojtëse nuk u mor parasysh nga gjykata e cila referuar provave të paraqitura nga prokuroria Arben Agovi e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tij, duke vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Ndërkohë vendimi i Gjykatës së Lezhës pritet të ankimohet nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

69-vjeçari Gjergj Gjini i zuri pritë dhe qëlloi me armë ndaj fqinjit të tij Hilë Gjini, teksa ky i fundit po dërgonte fëmijët në shkollë me automjetin e tij.

Ka qenë ndërhyrja e fëmijëve dhe bashkëshortes së 43-vjeçarit të cilët janë përleshur dhe hequr armën nga dora autorit, duke shmangur në këtë mënyre një ngjarje me përmasa më të mëdha, referuar faktit se në makina ishin dhe 4 fëmijet e mitur.

Shkak i kësaj plagosje mësohet të kenë qenë konfliktet për prona si dhe helmimin i deleve nga Hilë Gjini, bashkëfshatarit të tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2004.