Akuzojnë sot shumicën qeverisëse për gjithçka kanë bërë vetë kur ishin në pushtet. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët akuzojnë kryeministrin Edi Rama për kapjen e drejtësisë, janë përpjekur të ndikojnë në mënyrë të paligjshme tek drejtësia, përmes ish-presidentit Bamir Topi, për të mbyllur dosjen e 21 Janarit. Detajet e mënyrës se si Sali Berisha e shikon dhe e ka përdorur drejtësinë i rrëfen ish-Presidenti Bamir Topi, në librin e tij me kujtime, me titull ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti).
Duke përdorur Lulzim Bashën si ndërmjetës, Sali Berisha, në 23 janar 2011, i ka kërkuar Bamir Topit, në atë kohë President, që të ndikonte tek Ina Rama, në atë kohë kryeprokurore, që të tërhiqte urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Arrestimi dhe zbërthimi i zinxhirit komandues të Gardës në Prokurori, mund të nxirrte zbuluar orkestruesit kryesorë të vrasjes së protestuesve dhe eliminimit të provave të krimit. Ndaj, mëngjesin e 23 janarit 2011, Lulzim Basha është shfaqur tejet i shqetësuar në shtëpinë e Bamir Topit, ndërsa i ka kërkuar në emër të Sali Berishës, që të ndërhynte tek Ina Rama që tërhiqej nga hetimi i paanshëm i vrasjet se këtë protestuesve të pafajshëm.
Po pse Berisha i ka kërkuar Topit të ndikonte tek Ina Rama? Dy janë arsyet. Së pari, Ina Rama, e quajtur fillimisht nga Berisha ‘Silvia Konti’, refuzonte t’u bindej urdhrave të Berishës dhe për pasojë u vu në shënjestër të sulmeve të tij, me epitete të rënda dhe akuza si puçiste. Së dyti, Bamir Topi si President ishte në atë kohë edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke pasur autoritet mbi drejtësinë. Ndërhyrja konfirmon edhe një herë se si Sali Berisha i ka parë presidentët e zgjedhur nga PD si një instrument për të kapur KLD dhe KLD për të kontrolluar gjyqësorin. Ndërkaq, kur Bamir Topi ka refuzuar kërkesën e Berishës për të ndërhyrë tek Ina Rama, Berisha ka rrethuar shtëpinë e tij me gardistë, njerëz të Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe persona të tjerë të besuar. Në të njëjtën kohë, Berisha me deklaratat e tij publike e ka futur Topin në grupin e puçistëve me Ina Ramën. Më vonë, Berisha ishte vendimtar për emërimin e Adriatik Llallës në vend të Ina Ramës dhe të Bujar Nishanit në vend të Bamir Topit. Ndërkaq, prej pesë vitesh, si Berisha, ashtu edhe Basha, ankohen se shumica në pushtet po kap drejtësinë.