'Ligjet' miratojnë raportin: Të ngrihet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit! Meta i refuzon sërish

6 Maj 2021, 16:56

TIRANË- Nesër, seanca plenare ka në dorë ngritjen e Komisionit Hetimor për kërkesën e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhi, raportin që do i dërgohet Kuvendit, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor.

Në këtë seancë të 'Ligjeve' do duhej të zhvillohej seanca dëgjimore me kreun e shtetit, por ky i fundit ka refuzuar sërish duke thënë se ka një axhendë të zënë që nuk mund ta shkelë, dhe se është i gatshëm vetëm në datën 10 maj.

"Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtatshëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës", shkruan Meta.

Kjo përgjigje e kreut të shtetit, për deputetët e mazhorancës është një tentativë për të nxjerrë jashtë afateve punën e Komisionit dhe të Kuvendit, pasi data përfundimtare është 9 maji, 4 muaj para përfundimit të legjislaturës më 9 shtator. Kreu i 'Ligjeve', Ulsi Manja tha se po e bën qëllimisht këtë, e ndërsa deputeti Alket Hyseni ka shkuar edhe më tej duke e konsideruar këtë një sjellje tipike opozitare e Metës, që duhet të dënohet.