Ligji për Policinë e Shtetit përfundon në Kushtetuese me kërkesë të Avokatit të Popullit

19 Shkurt 2021, 20:23

Ligji i Policisë së Shtetit ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë nga Avokati i Popullit. Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Avokati i Popullit bën me dije se kërkon shfuqizimin e një neni të ligjit për Policinë e Shtetit.

Më konkretisht kërkohet shfuqizimi i nenit 8 i ligjit nr. 133/2020 i lidhur me disa kompetenca të për veprimtari informative gjurmuese të qytetarëve.

Ky nen ka të bëjë me kompetencën e Policisë së Shtetit për gjurmimin dhe mbikëqyrjen e qytetarëve nëpërmjet komunikimeve joelektronike në raste të ndryshme.

Sipas Avokatit të Popullit, ky nen vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Ata shtojnë se përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cënon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente.

Kjo kompetencë përfshihet dhe në projektligjin e ri që e ndryshon SHÇBA-në në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila pritet të miratohet në Kuvend më 4 mars.

Në nenin 32 të këtij ligji është e njëjta përmbajtje për gjurmimin e personave të dyshuar përmes mjeteve dhe teknikave të veçanta për identifikimin ose lokalizimin e vendndodhjes së tyre. Në rastin e AMP-së gjurimi bëhet për tre organet që ky institucion ka për detyrë t’i kontrolloj. Praktikisht, nëse ligji për Policinë e Shtetit shkon në Kushtetuese, edhe miratimi i AMP-së së re rrezikon të mos kaloj në ligj enkas për këtë nen.