Lirimi i Gert Gjinararit, Gjonaj: Pezullohet drejtori i Burgut, KLGJ të hetojë gjyqtarin

20 Shkurt 2019, 13:32 | Përditesimi i fundit: 2019-02-20 15:11:53

Pezullohet nga detyra drejtori i Burgut të Drenovës dhe dy punonjës të tjerë për lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gert Gjinarari.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli në një konferencë për mediat, kur tha se lirimi me kusht i Gjinararit, njohur si "Gjenerali" është në shkelje me ligjin.

Ministria e Drejtësisë ka bërë një hetim paraprak ku është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e kodit penal për dhënien liri me kusht për një të dënuar me burgim të përjetshëm. Ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe inspektoratit për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin, duke shprehur sigurinë se përgjigjja nga këto institucione do të jetë e shpejtë.

Ndërkohë, drejtori i Burgut është proceduar dhe janë referuar materialet pranë Prokurorisë Korcë, për veprën penale shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, dhe deri në zbardhjen e ngjarjes janë të pezulluar nga detyra.