Lirohet nga burgu Florenc Çapja/ Gjykata pushon për herë të tretë çështjen për atentatin kundër Fadil Memës

20 Nëntor 2019, 15:20

Tomor Kullolli, gjyqtari i Elbasanit ka vendosur të pushojë cështjen penale kundër Florenc Çapjas, të akuzuar për tentativën e vrasjes së Fadil Memës dhe mbajtjes pa lejë të armëve luftarake. Kjo është hera e tretë që Florec Çapja i shpëton drejtësisë shqiptare për këtë ngjarje, pasi gjykata ka argumentuar se kjo cështje nuk ka provat e mjaftueshme për të hyrë në proces gjykimi.

Vendimi është marrë në seancë paraprake të gjykimit, aty ku prokuroria e Elbasanit kërkonte që gjykata të miratonte kërkesën për gjykim dhe të fuste dosjen për gjykim. Por e kundërta ka ndodhur, pasi gjyqtari Kullolli ka pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Florenc Çapjas, duke vendosur pushimin e cështjes për shkak se disa herë kjo dosje ishte hetuar dhe në fund ishte pezulluar.

Me këtë vendim gjyqtari Kullolli ka urdhëruar policinë të urdhërojë menjëherë lirimin e Florenc Ccapjas, megjithëse ky i fundit nuk ishte prezent në gjykatë. Nëpërmjet këtij vendimi Çapja ka vulosur cështjen penale kundër tij, që është rihapur për tre herë me radhë.

Tashmë prokuroria e Elbasanit do apelojë vendimin dhe pritet që në ditët në vijim do jetë gjykata e Apelit ajo që do vendosë nëse gjyqtari i shkallës së parë Tomor Kullolli, ka ose jo të drejtë. I njëjti gjyqtar në një proces tjetër penal atë të Shkelzen Hasanpapaj, ka vendosur të dënojë me 10 vite burgim këtë të fundit nga 22 të kërkuara nga prokuroria, për akuzën e Vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas në qendër të Elbasanit.