TIRANE- Më shumë se 24 orë nga tërmeti 6.4 ballë që goditi Shqipërinë një ditë më parë vijojnë kërkimet për mbi 20 persona që kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Forcat speciale po gërmojnë në 6 pika mes zonave të Durrësit, Kënetës dhe Thumanës: tek tre pallatet e rrëzuara në Thumanë, tek hotel Mira Mare në Durrës, hotel Tropikal, tek lagjja nr.6 në Durrës dhe në afërsi të kryqit të kuq.
Pjesa më e madhe e njerëzve të humbur raportohen në zonën e Kënetës në Durrës dhe Thumanë. Lidhur me operacionet e kërkimit janë angazhuar grupet e shpëtimit nga Kosova, Italia, Greqia dhe Kroacia. Ndërkohë që forcat franceze janë fokusuar në kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja. Në operacion marrin pjesë edhe forcat speciale shqiptare.
Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona të konfirmuar nga familjarët, ndërkohë që sipas policisë kanë humbur jetën 26 persona duke krijuar një diferencë, se disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.
Kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, të cilat janë zonat më të prekura nga tërmeti, ndërkohë që 27 Nëntori është zyrtarisht Ditë Zie Kombëtare.