Llagami raporton te 'Ligjet': Për një çështje në apel, qytetar duhet të presë deri në 4 vjet

2 Qershor 2021, 17:21 | Përditesimi: 2 Qershor 2021, 17:21

TIRANË- Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Naureda Llagami ka ngritur alarmin duke deklaruar se Gjykatat janë në kolaps, për shkak të mungesës së gjyqtarëve, një pjesë të shkarkuar ose të pezulluar si pasojë e Vettingut. Në raportimin te Komisioni i Ligjeve, sa i përket situatës  në institucionin që ajo drejton për vitin 2020, Llagami ka vënë theksin se Gjykatat e Apelit janë më problematike. Kjo sepse sipas sa për gjykimin e një çështje në Gjykatat e Apelit në rrethe duhet 2-3 muaj, e ndërsa në Tiranë shkon deri në 4 vjet.

"Nuk jemi krenar se është shumë e vështirë, kemi pasur humbje njerëzore për shkak të Vetting, lidhur me Vetting, janë shkarkuar 13 gjyqtarë me vendim të formës së prerë, 25 të tjerë që janë pezulluar duke përfituar 75% e pagës, ose 30 mln lekë, por nuk vazhdojnë dot të gjykojnë çështjet dhe efekti financiar që i Vettingut ku janë shkarkuar/pezulluar 75 gjyqtar dhe 55 mln lekë efekt në buxhetin e shtetit, harxhohen lekë, por nuk ofrohen dot shërbim. Përveç kostove financiare dhe mungesa e gjyqtarëve është dhe hezitimi për të aplikuar në KLGJ. Gjykata e Apelit është shumë problematike, kjo është thembra e Akilit, nga 78 gjyqtarë që duhet të jenë, janë 25 gjyqtarë. Në fund të vitit ishin 27, çdo ditë e më shumë ulet ky numër. Apeli Administrativ ka uljen më të madhe të efektivitetit të çështjeve. Për një çështje që të gjykohet në Apel duhet 2-3 muaj për në rrethe ndërsa një qytetar i Tiranës duhet të presë 4 vjet. Grupimi i Apeleve do mundësonte që gjykimi i çështjeve do ishte i drejtë dhe i barabartë. Gjykatat janë në kolaps", tha LLagami.

b.ha./Shqiptarja.com